Mehaj në Kanada takim me homologen Anand, flasin për bashkëpunim ushtarak
BKT
Foto: Ministria e Mbrojtjes
Kosovë

Mehaj në Kanada takim me homologen Anand, flasin për bashkëpunim ushtarak

J.Musliu/RTKlive

Gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u prit në takim të veçantë nga homologia e tij, ministrja e Mbrojtjes së Kanadasë, Anita Anand.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjës, me këtë rast, ministri Mehaj i shoqëruar nga Zv.komandanti i FSK-së, Gjeneralmajor Enver Cikaqi, e njoftoi ministren Anand për avancimet që ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë në shumë drejtime.

Kjo përfshinë  implementimin e  planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe investimit që është bërë në blerjen e armatimeve, si edhe shkollimin e kuadrove të reja të oficerëve e ushtarakëve në përgjithësi, e me theks të veçantë hapat që janë ndërmarrë për inkuadrimin e vajzave në FSK dhe trajnimin për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse.

Përtej kësaj, dy ministrat, diskutuan për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, e sidomos bashkëpunimin sa i përket misioneve të përbashkëta ushtarake, me ç'rast ministri Mehaj shprehu gatishmërinë  për t'i ofruar ndihmë popullit ukrainas, me kapacitetet e FSK-së, përmes trajnimeve për kërkim-shpëtim dhe deminim.

Temë tjetër diskutimi ishte dhe rëndësia që Republika e Kosovës  të anëtarësohet në BE dhe në NATO, ngase Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë ka nevojë për shtete që përqafojnë politikat evropiane.

 


MË SHUME NGA Kosovë