KQZ kufizon shpenzimet e partive për fushatën zgjedhore në veri
J.Musliu/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti online mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës
zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Siç njofton Zyra për Media e KQZ-së, nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
“Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar në secilën komunë”, sqaron KQZ-ja.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna, mbahen me 18 dhjetor.























