Rritja e aksidenteve rrugore, shkaktari kryesor faktori njeri
BKT
Kosovë

Rritja e aksidenteve rrugore, shkaktari kryesor faktori njeri

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Numri i të vdekurve dhe i të lënduarve në aksidente të trafikut rrugor në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, 88 persona kanë humbur jetën.

Njohës të komunikacionit vlerësojnë se në 85 për qind të rasteve, faktori njeri është shkaktari kryesor i aksidenteve.

Nga janari deri në fund të tetorit në Kosovë kanë ndodhur 78 aksidente me fatalitet, ku kanë humbur jetën 88 persona. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën, duke treguar se numri total i aksidenteve në këtë periudhë kohore është 17 mijë e 324, në të cilat kanë pësuar lëndime 12 mijë e 354 persona.

Kjo po shihet si shqetësuese nga njohësit e komunikacionit. Sipas tyre, shkaktarët e aksidenteve rrugore janë të shumtë. Nol Dedaj i tha Radio Kosova se shkaktari më i madh i aksidenteve është faktori njeri.

 “ Shkaqet me të shpeshta që ndikojnë drejtpërdrejt në aksidentet e komunikacionit rrugor, vijnë nga pesë faktorë: faktori njeri që është 85 për qind shkaktar i aksidenteve rrugore, pastaj faktori rrugë me 8 deri në 10 për qind, faktori automjet 5 për qind, faktori i komunikacionit në rrugë me 1 për qind dhe faktori incident me 1 për qind”, tha Dedaj.

Shqetësuese, Dedaj po e sheh rritjen e numrit të aksidenteve nga faktori rrugë dhe ai i automjeteve, ku 80 për qind e automjeteve në Kosovë janë më të vjetra se 10 vjet dhe mungon sinjalizimi i duhur rrugor.

 “Faktori rrugë dhe faktori automjet janë në rritje e sipër për sa i përket shkaktimit të aksidenteve me elementet e tyre. Kjo vjen edhe për faktin se 80 për qind e automjeteve janë më të vjetra se 10 vjet dhe ne i konsiderojmë se ato janë totalisht të amortizuara. Ndërsa, për sa i përket faktorit rrugë, do t’i përmendi disa elemente siç janë: mungesa e sinjalizimit diku rreth 40 për qind, pastaj mungesa e sinkronizimit të shenjave horizontale dhe vertikale””, tha Dedaj.

Në Kosovë çdo vit ndodhin 100 deri 120 aksidente me fatalitet. Që nga viti 2002 deri më tani, mbi 2 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik.


MË SHUME NGA Kosovë