Jo me 21, por me 22 nëntor fillon shqiptimi i gjobave për targat ilegale
J.Musliu/RTKlive
Një ditë para skadimit të afatit për shqiptimit të fletëqortimeve për targat, Policia e Kosovës del më një sqarim.
Aty shkruan se data e fillimit të zbatimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë për targat ilegale, do të fiillojë me 22 nëntor.
Në këtë datë, do të fillojë shqiptimi i gjobave për të gjithë vozitësit e automjeteve që në automjetet e tyre kanë targat ilegale KM e të ngjashme si këto dhe jo ato legale RKS.
Policia deklaron se konform planifikimeve operacionale, ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28 tetor2022, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS.
Policia deklaron se ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, u janë shqiptuar masa e qortimit.
“Deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”, sqaron policia.
Kështu, sipas vendimit, deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit.
“Ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntori e deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”.
Policia e Kosovës deklaron se në vazhdimësi ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet në vend duke bërë vlerësime profesionale konform të cilave ka ndërmarrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.























