Sveçla: Këto dokumente kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme
Foto: Ministria e Punëve të Brendshme
Kosovë

Sveçla: Këto dokumente kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme

Fadil Sertolli / RTKlive

Pas miratimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, të Ligjit për Paga dhe Ligjit për Zyrtarët Publik, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministrin e MPB-së Bardhyl Dobra, mbajtën konferencë për media, ku i bënë publike të gjitha detajet sa i përket këtyre dokumenteve.

Përmes një komunikate për media thuhet se ministri Sveçla, ka vënë në dukje se për shumë kohë kanë shtjelluar problematikat me të cilat administrata është përballur, si në aspektin organizativ, atë të kapitalit njerëzor dhe profesional që ka, të sistemeve dhe mekanizmave që disponon e operon duke shtuar këtu edhe mungesën e një sistemi të unifikuar të pagave.

Kjo, sipas ministrit Sveçla, ka shkaktuar një situatë kaotike në caktimin e pagës bazë dhe shtesave dhe në një administratë që nuk i përgjigjet nevojave të kësaj shoqërie.

Ndërsa, siç tha ai, me reformën në administratë publike, në qendër të saj është fillimisht zyrtari publik ku marrëdhënia e tij e punës do të jetë e përcaktuar mbi parime të qarta dhe garanca që i mundësojnë kryerjen e detyrave me lehtësi e profesionalizëm.

“Sot, të punësuarit kanë mbetur peng i një rrethi vicioz në mes të rekrutimeve të mbyllura dhe lëvizjes paralele. Ndonëse de jure kjo është proklamuar si zhvillim në karrierë, të dhënat tregojnë se i njëjti zyrtar ka mbi 12 vjet radhazi në të njëjtin pozicion pa lëvizur as më lart as më poshtë. Ndërsa në njërën nga ministritë 63% e udhëheqësve të nivelit të mesëm dhe 49% e udhëheqësve të nivelit të ultë drejtues nuk kanë lëvizur për mbi 8 vite nga pozita e njëjtë. Talentet që i janë bashkuar administratës publike nga programet e skemat e ndryshme të bursave rrezikojnë ose të largohen ose të stagnojnë në pozita profesionale pa mundësi avancimi”, tha ministri Sveçla.

Po ashtu, ministri Sveçla, theksoi se me këtë dokument do të hapet sistemi ku procedurat e rekrutimit bëhen përmes konkursit të hapur dhe publik për të gjitha kategoritë pa përjashtim dhe do të ketë një sistem të hapur që ne po propozojmë, është ai që do ta jetësojë sistemin e karrierës në shërbimin civil tani e tutje.

Ai po ashtu bëri të ditur se aktualisht në administratë, ka vetëm 17 gra në nivele të larta drejtuese nga 86 pozita të tilla, vetëm 73 gra në nivelin e mesëm drejtues nga 456 pozita të tilla, vetëm 540 gra në nivelin e ultë drejtues janë nga 1774 pozita të tilla, përkundër se ka më shumë gra dhe vajza të diplomuara se sa ai i djemve dhe burrave.

Ndërsa duke folur për Ligjin për paga, ministri Sveçla theksoi se sistemi i pagave që u miratua sot reflekton ruajtjen  e shkallëzimit të drejtë dhe respektimit të hierarkisë në caktim të koeficienteve.

“Ashtu siç e theksoi edhe Kryeministri, kemi zvogëluar ndjeshëm dallimin në raportin e koeficienteve. Si shembull, në Policinë e Kosovës dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë është vetëm 3.22 herë, ndërsa në raport me kreun e shtetit është 4”, theksoi Sveçla.

Ai gjithashtu tha se shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë se paga më e ultë dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë se paga mesatare e përllogaritur sipas këtij projektligji.

Në fund, ministri Sveçla theksoi se këto çështje që i përmenda përbëjnë korpusin e nevojave të cilat kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme që të adresojnë nevojat e shoqërisë sonë.

“Kjo të dashur qytetarë do të thotë rekrutime transparente, mundësi të barabarta dhe prurje të reja - njëlloj siç nënkupton shpërblim të drejtë për edukimin, kualifikimet, rëndësisë shtetërore të pozitës, përvojës së kërkuar, shkallës së vështirësisë, kufizimeve të të drejtave të përgjithshme të punës dhe kushteve të tregut të punës”, tha në fund ministri Sveçla.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë