Vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes nisin shërbimin dy-vjeçar në Kosovë
Kosovë

Vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes nisin shërbimin dy-vjeçar në Kosovë

VOA

Shtatëmbëdhjetë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u betuan të mërkurën në Prishtinë për të shërbyer si pjesë e Korpusit të Paqes.

Ceremonia e betimit pasoi përgatitjet 11-javore në disa zona të Kosovës, para se të nisin punën, disa prej tyre në shkolla për të ndihmuar nxënësit që të mësojnë gjuhën angleze dhe disa të tjerë në organizata joqeveritare në vend, për dy vjetët e ardhshëm.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes për Kosovën, Carolyne Siganda, tha se vullnetarët vijnë nga 15 zona të ndryshme të Shteteve të Bashkuara nga më shumë se 40 institucione të arsimit të lartë.

“Ju sillni një sfond të pasur e të shumëllojshëm të prejardhjes dhe kulturës që jam e sigurt se do ta ndani me njerëzit në Kosovë. Jam e bindur se çdonjëri nga ju do të jap kontribut të rëndësishëm në shkolla dhe organizata ku do të punoni”, u tha ajo vullnetarëve.

Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Alyson Grunder, tha se betimi i vullnetarëve ka një rëndësi të posaçme këtë vit pas dy viteve të ndërprerjes së këtij programi për shkak të pandemisë së COVID-19ës.

“Para më shumë se dy vite e gjysmë vullnetarët e Korpusit të Paqes në mbarë botën u kthyen mbrapa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të pandemisë, duke përfshirë mbi 60 vullnetarë nga Kosova. Prandaj jemi të lumtur sot që mund të themi se vullnetarët janë kthyer në Kosovë dhe janë më të gatshëm se kurrë për të vazhduar partneritetin me popullin e Kosovës”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se puna e vullnetarëve të Korpusit të Paqes forcon miqësinë e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pra ne takohemi sot dhe edhe një herë e përçojmë mesazhin e një lidhjeje të fortë, mesazhin e unitetit derisa jemi të dyja palët të përkushtuara që të mbrojmë, zhvillojmë dhe avancojmë vlerat e përbashkëta në të cilat besojmë. Lidhja e fortë ndërmjet dy vendeve tona nuk është rastësi, vendet tona lidhen bashkë nga një vizion dhe ambicie e përbashkët për të bërë më të mirën”, tha presidentja Osmani.

Vullnetarët thanë se janë mirënjohës për pritjen që u është bërë nga qytetarët e Kosovës.

“Dy vitet e ardhshme do të jenë vitet më të mira, kismet. Shumica nga ne këtu e kanë pritur gjatë këtë ditë, unë aplikova gati tri vite më parë, për të tjerët e di që pritja ishte edhe më e gjatë. Aq gjatë kemi pritur sa nuk na besohej se do të vijë kjo ditë, por ja ku jemi këtu para jush”, tha vullnetari Jordan Degelia.

“Më e rëndësishmja është falënderimi ndaj qytetarëve të Kosovës që janë treguar të mirë me ne. Jemi të nderuar me mundësinë që t’u japim nxënësve dhe organizatave këtu këndvështrime të ndryshme”, tha vullnetarja Catherine Day.

Ky është grupi i shtatë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë. Grupi i parë qëndroi në Kosovë në vitin 2014, një vit pasi që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore për hapjen e programit të parë të Korpusit të Paqes.

Korpusi i paqes është themeluar nga presidenti John Kennedy në mars të vitit 1961. Që atëherë më se 200 mijë amerikanë kanë shërbyer në 140 vende të ndryshme të botës në çështje që nga lufta kundër sëmundjeve, në fushën e arsimit, teknologjisë informative e deri te mbrojtja e mjedisit.


MË SHUME NGA Kosovë