OAK: Zbritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë nënkupton kthim prapa
Kosovë

OAK: Zbritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë nënkupton kthim prapa

M.Miftari/RTKLove

Oda e Avokatëve të Kosovës si organizatë e pavarur profesionale e avokatëve, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke pasur qëllim kryesor avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe duke mbështetur procesin e reformave ligjore, shpreh shqetësimin e saj për zbritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

OAK përmes një komunikate për medie thekson se Qeveria duhet të mbështesë sistemin e drejtësisë pa dallim e veçanërisht të krijojë politika që ky sistem të ketë pavarësi financiare.

“Duhet theksuar se zbritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë nënkupton kthim prapa, derisa do të shtohet rreziku i rënies së të interesuarve për të punuar në këto pozita, që nënkupton se pasojat e tilla do të bien në kurriz të qytetarëve, sepse mund të ketë rënie edhe të efikasitetit dhe vullnetit e përkushtimit në punë”, thuhet në njoftim.

Tutje, OAK bën të ditur se është detyrim i shtetit që të ofrojë garanci për krijimin e kushteve ligjore dhe financiare për një sistem të drejtësisë sa më efikas dhe në të mirë të të drejtave të qytetarëve.

Oda e Avokatëve të Kosovës, ndër të tjera, bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta trajtojë me seriozitet këtë çështje, pasi që paga është e drejtë themelore e secilit individ dhe e cila duhet të jetë e përputhshme me përgjegjësitë e secilit, ashtu që gjyqtarët dhe prokurorët meritojnë të kenë paga të dinjitetshme.


MË SHUME NGA Kosovë