Haxhiu: Vendimi për rritje të pagave ishte i kundërligjshëm
Foto: Donika Sherifi / RTK
Kosovë

Haxhiu: Vendimi për rritje të pagave ishte i kundërligjshëm

Valbona Thaçi /RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media deklaroi se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave është bërë për shkak se vendimi për rritje të pagave ka qenë i kundërligjshëm, prandaj edhe u shfuqizua.

Ajo tha se Ligji i Pagave do të bëjë nivelizim të pagave dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet anti-Kushtetues.

“Siç e dini në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, janë shfuqizuar dy Ligje dhe qëllimi i tyre është që të bëhet reforma në administratën publike dhe në paga të barabarta dhe dinjitoze për të gjithë, që mos privilegjohet asnjë shtresë e shoqërisë ”.

“Ligji pos që bën nivelizim e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rrit edhe pagat e pothuajse të gjitha kategorive, kjo nismë reformuese gjithashtu shmangë rritjen aksidentale, abuzimin dhe arbitraritetin në këtë proces të rëndësishëm. Në kohën kur është votuar ky vendim nga qeveria Haradinaj, qëllimi ka qenë që t’ia rrisin vetës pagën dhe nuk e ka menduar se mund të ketë probleme në të ardhmen”, tha Haxhiu.

“Ligji i Pagave që ka shkuar dje në Kuvend, rritë pagat për gjyqtarët dhe prokurorët dhe nuk mund ta mbajmë në jetë një vendim të paligjshëm”, tha tutje Haxhiu.

Ministrja Haxhiu, gjatë kësaj konference ka shpalosur edhe aktivitetet për fushatën globale kundër dhunës më bazë gjinore.

Haxhiu tha se dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore duhet të luftohen dhe se raportimi i tyre është obligim i secilit. "Vetëm të bashkuar do të mund të arrijmë të minimizojmë dhunën dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë".

“Fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore për herë të parë si fushatë,  drejtohet dhe koordinohet nga Ministria e Drejtësisë në bashkërendim me institucionet tjera, organizatat e shoqërisë civile edhe partnerët tanë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se  ne kuadër të mandatit qeverisës të tyre, është edhe hartimi i politikave kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore dhe koordinimi instuticional për adresimin e këtij fenomeni me pasoja të rënda.

“Fushata e 16 ditëve të aktivizmit hapet nesër  në bibliotekën kombëtare me një ceremoni të veçantë që i dedikohet viktimave dhe do të organizohen rreth 200 aktivitete të cilat do të shtrihen në gjithë Kosovën.

Këto  200 aktivitete organizohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

 "Për 16 ditë të fushatës do të organizohen tryeza, diskutime, vizita në qytete dhe fshatra, takime në institucione e komuna, tubime me vajza e gra, vizita në shkolla, klube të sporteve, shoqata poashtu edhe në biznese ”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se Ministria e Drejtësisë, gjatë këtyre ditëve do të organizojë mbi 30 aktivite dhe do të lansojë protokollin shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, i cili është votuar dje në mbledhjen e Qeverisë si dhe kurikulën për trajtimin e dhunuesve, dokumente këto të rëndësishme që ndërlidhen me zbatimin e konventës së Stambollit.


MË SHUME NGA Kosovë