Haxhiu mesazh nxënësve: Raportojeni dhunën si në shkollë edhe në familje
Foto: Valjetë Shala/RTK
Kosovë

Haxhiu mesazh nxënësve: Raportojeni dhunën si në shkollë edhe në familje

Valjetë Shala/RTK

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë vizituar Shkollën Fillore "Faik Konica" në Prishtinë me rastin e fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas”.

Nagavci tha se aktivitetet nëpër shkolla duhet të rriten.

“Jemi këtu në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit në baza gjinore. Do të kemi vizita edhe në shkolla të tjera. Bëjmë thirrje që aktivitetet të rriten edhe te shkollat e tjera. Vullneti dhe angazhimi nuk ju mungojnë as juve si nxënës, as kolektivit”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ndërkaq ministrja Haxhiu deklaroi se aktivitetet janë të rëndësishme për vetëdijesim.

“Kemi bërë shumë ligje që t’u gjendemi pranë viktimave. Besoj se kontributi i secilit prej nesh, i mësimdhënësve dhe nxënësve, zvogëlon numrin e rasteve të veprave penale. Kërkoj nga ju që të kemi bashkëbisedim dhe ajo çfarë kërkoj është respekt për njëri-tjetrin. Mos bëni veprime si bullizëm dhe abuzim online, sepse e shkatërrojnë jetën e të rinjve e të gjithëve. Është e rëndësishme të keni respekt ndaj secilit dhe ju vetë të kontribuoni e ta raportoni dhunën si në shkollë ashtu edhe në familje”, shtoi ajo.

Sot ora e parë e mësimit i dedikohet parandalimit të dhunës ndaj gruas në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë vendim që sot, (e premte), 25 nëntor 2022, në të gjitha shkollat, nga niveli 6-9 dhe niveli 10-12, ora e parë e mësimit t’i dedikohet parandalimit të dhunës ndaj gruas me përmbajtje e në përputhje me grupmoshat e nxënësve.

Kjo orë e mësimit, sipas saj, mbahet me qëllim të kultivimit të vlerave, qëndrimeve dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërpersonale në të gjitha nivelet.

MASHTI i ka njoftuar me kohë drejtoritë komunale të arsimit dhe institucionet arsimore për këtë orë mësimi, e cila ka për qëllim zgjerimin e njohurive të nxënësve lidhur me parandalimin e dhunës ndaj vajzave/grave.

Aktiviteti mësimor mund ta përfshijë edhe adresimin e temave të tilla përmes eseve, vizatimeve, diskutimeve dhe prezantimeve në grupe, por edhe mundësi të tjera sipas zgjedhjes së mësimdhënësve në fushat e tyre lëndore. MASHTI, sipas njoftimit, ka hartuar edhe informatorin shkollor për procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje, të cilin mund ta përdorin mësimdhënësit që zgjedhin për ta diskutuar për rolin e shkollës në parandalim dhe referim të dhunës në familje.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Kosovë