Përurohet shtatorja e heroit Hysen Zogjani |Video
Kosovë

Përurohet shtatorja e heroit Hysen Zogjani |Video

Qendresa Duraku Xharra / RTK

Nën tingujt e himnit kombëtar të flamurit shqiptar dhe himnit shtetëror të Kosovës, nga familjarë e bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sheshin e komunës së Fushë Kosovës, është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Hysen Zogjani.

Nga të pranishmit u fol për kontributin e heroit Zogjani gjatë luftës së fundit në Kosovë.

"Ideali i lirisë që ishte në gjoksin dhe mendjen e tij ka ardhur bashkë me këtë përmendore për të na përkujtuar se duhet të jemi të vendosur për mos bërë lëshime për atë që është e drejtë hyjnore e jona", ka thënë gjeneral Kudusi Lame.

"Në këtë shesh e kemi kthyer në broz Hysen Zogjanin, atë burrë që koha e mban mend në ecjen e tij në një ilegale të spikatur që e kryejti detyrën me një rëndësi të veçantë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë Nait Hasani, bashkëluftëtar.

"I vetëdijshëm se shtatorja dhe mesazhi që përçon sot heroi tek ne, flet më shumë se secili nga ne. Ai sot na thotë që ta duam shumë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën, pa rënien e dëshmorëve në Epopetë e lavdishme të UÇK-së, sot Kosova nuk do të ishte e lirë", ka thënë Xhavit Jashari.

Hysen Zogjani ishte rrëmbyer nga forcat kriminale të regjimit serb më 22 qershor të vitit 1998, e që nga ajo kohë ai ende nuk është gjetur. Edhe pas më shumë se 23 vjet të çlirimit të Kosovës, emri i tij figuron në mesin e mbi 1600 të zhdukurve të tjerë. Për kontributin e tij dhënë luftës çlirimtare, institucionet e vendit ia kanë dhënë titullin “Urdhri luftëtar i lirisë Adem Jashari” dhe “Hero i Kosovës”.


MË SHUME NGA Kosovë