Osmani-Kurti: Kosovë e Shqipëri, bashkë drejt BE-së
Foto: Vjosa Osmani/Facebbook
Kosovë

Osmani-Kurti: Kosovë e Shqipëri, bashkë drejt BE-së

Jeton Musliu/RTKlive

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, krerët e shtetit të Shqipërisë e Kosovës, u mblodhën për të kremtuar në Vlorë.

Krahas liderëve shtetërorë e institucionalë të Shqipërisë e Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në kremtën kombëtare në Vlorë, e cila, me këtë rast, theksoi se Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit, janë ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

“Që prej Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, Ismajl Qemalit, Hasan Prishtinës e Isa Boletinit, e deri te presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari - një ëndërr dhe një ideal kishim”, theksoi ajo në një reagim në rrjetin social Facebook.

Tutje ajo shfaqi optimizmin se e ardhmja e kombit tonë është në familjen evropiane.

“Siç e kemi bërë bashkërisht rrugën historike, bashkërisht do ta kemi rrugëtimin tonë për në familjen evropiane”, u shpreh, mes tjerash, presidentja Osmani, me rastin e festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Po kështu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrejtit social Facebook, me rastin e festës kombëtare- Ditës së Flamurit, reagoi duke kujtuar sakrificën e heronjve tanë për të arritur në ditën e sotme.

Sipas tij, kjo ditë është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë.

“28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa kujoti se mbledhja e të dy Kuvendeve ishte Dita e Forcës së Kosovës.

(E plotësuar) Begaj: Coptohej para 110 vjetëve, sot Shqipëria në KS të OKB-së

Presidentët Bajram Begaj e Vjosa Osmani, kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti dhe kryetarët e Kuvendit, Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, vendosën edhe kurora lulesh pranë monumentit të pavarësisë.

Në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Vlora fton të gjithë që të festojnë këtë ditë të madhe.

Pasi risolli në vëmendje copëza të hitorisë së Shqipërisë, deri në shpalljen e pavarësisë, Presidenti Begaj tha se ngritja e flamurit në Vlorë, nuk ishte dhuratë.

“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetët vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt që jetësuan vullnetin e popullit”, tha presidenti shqiptar.

“Ishte trimëria e djelmërisë kosovare dhe asaj mbarë shqiptare, që me heroizmin  dhe qëndresën e tyre, i dolën zot vatanit dhe i demonstruan botës, shenjtërinë e lirisë”, tha kreu i shtetit shqiptar.

Ai tha se tani, Shqipëria është aleat i besuar i SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera mike.

“Nëse para 110 vjetëve diskutohej copëzimi i trojeve shqiptare, sot Shqipëria si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe promovimin e demokracisë”, u shpreh Begaj.

Ai tha se kombi shqiptar ka sakrifikuar si asnjë tjetër në rajon. “Por sot Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur që synon integrimin në BE dhe në NATO”.

Më tej presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e Kosovës.

“Të jetë zëri i saj sa herë që të jetë e nevojshme, bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur në rrugëtimin e saj euro-atlantik”, deklaroi presidenti Begaj.

Ai tha se patriotët e pavarësisë që nderohen sot, janë shembulli më i mirë i bashkimit për interesa kombëtare.