Nën kërcënimin e Serbisë, shqiptarët në Luginë festojnë Ditën e Flamurit
Baki Rexhepi/RTK-Preshevë
Shteti i Serbisë me ligj ka ndaluar përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në tri komunat e Luginës së Preshevës, madje ata që bëjnë transparent për ahengje e festa edhe sanksionohen. Pavarësisht kësaj, 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë e kanë festuar edhe shqiptarët atje, madje flamuj kombëtarë ka pas gjithandej lokaliteteve të këtij rajoni.
E madje lidershipi atje thotë se një ligj diskriminues nuk mund ta shuaj ndjenjën e një kombi për liri e demokraci
“Flamuri kombëtarë është flamuri i lirisë i barazisë, ligji është një flamur i diskriminimit përkatësisht diskriminimit të cilin do të duhej ta luftojmë bashkërisht dhe duhet që të kuptoj Serbia që ne nuk dot heqim dorë sa i përket identitetit ton kombëtarë”, deklaroi Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi i cili e ka nxjerr para Komunës flamurin, thotë se pavarësisht sanksioneve, sot është festë e shqiptarëve.
“Pa marrë parasysh sanksioneve të cilat do të vinë pasandaj, sot është ditë feste për gjithë shqiptarët ku jetojnë dhe shpresojmë në të ardhmen që edhe kjo çështje do të zgjidhet ashtu siç duhet me standarde Evropiane”, deklaroi Arifi.
Përfaqësuesit politik edhe kësaj radhe janë zotuar që nuk do të heshtin për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar.
”Ne do të punojmë fuqishëm që në ardhme të jemi të lirë të e përdorim flamurin tonë kombëtarë. Nuk ka gjobë e cila na ndalon të e përdorim flamurin tonë sidomos në festat siç është festa e 28 Nëntorit”, deklaroi Arbër Pajaziti, nënkryetar i Alternativës për Ndryshim.
Edhe përkundër ndalesave ligjore, shqiptarët në Luginë të Preshevës asnjëherë nuk e kanë përfill ligjin dhe këtë ditë të madhe e kanë festuar me flamur, ndërkohë që gjithnjë janë dënuar dhe vazhdojnë dënimet për flamur nga gjykatat serbe.