Kosova e Maqedonia e Veriut me projekte të përbashkëta në bujqësi
J.Musliu/RTKlive
Kosova e Maqedonia e Veriut, dakordohen të thellojnë bashkëpunimin ndër-institucional e ndër-shtetëror duke hartuar projekte të përbashkëta ndër-kufitare.
Kjo bëhet me qëllim të fuqizimit ekonomik të bujqëve që jetojnë rreth zonës kufitare të të dy vendeve.
Kjo është rezultat i takimit që ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pati me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Ljupço Nikolovski, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Të dy ministrat diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektorëve, të cilat mbulojnë institucionet përkatëse.
Ministria e Bujqësisë së Kosovës njofton se palët ranë dakord edhe për shkëmbim përvojash në hartimin e politikave, përafrimin e tyre me ato të BE-së, heqjen e barrierave jo-tarifore, rritjen e kontrollit kufitar me qëllim ruajtjen e sigurisë ushqimore, hartimin e përbashkët të politikave pyjore, si dhe krijimin e një grupi teknik-administrativ.
Të dy ministrat u zotuan të kultivojnë marrëdhëniet miqësore që popujt e tyre kanë mes vete, si dhe të hapin rrugë drejt forcimit të pozitës së bujqve të të dyja vendeve përmes shkëmbimit të praktikave më të mira që do t’ua lehtësojnë veprimtarinë e tyre bujqësore.























