Ministri Sveçla kërkon hetime nga IPK për rastin e gruas shtatzënë
Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Kosovë

Ministri Sveçla kërkon hetime nga IPK për rastin e gruas shtatzënë

J.Musliu/RTKlive

Vrasja e një gruaje shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, akt që dyshohet se është kryer nga ish bashkëshorti i saj, i cili ende ndodhet në arrati, ka bërë që ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, të kërkojë nga Inspektorati Policor i Kosovës, fillimin e hetimeve ndaj punës, veprimeve dhe mosveprimeve të të gjithë zyrtarëve policorë që janë përfshirë në trajtimin e rastit të tashmë gruas së ndjerë.

Ministri Sveçla ka paralajmëruar masa ndaj atyre që mund të jenë përgjegjës për rastin, duke siguruar se pa asnjë dilemë, sapo të pranojë zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije, mund të jetë përgjegjës.

“Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Në reagimin e tij, një ditë pas ngjarjes së rëndë, ministri Sveçla është shprehur se ka kërkuar nga Policia, angazhim maksimal për arrestimin e të dyshuarit Sokol Halili. 

“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur”, tha ai.

Ministri deklaroi se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe  “sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”.

Sveçla u shpreh se arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata, që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”, ka shkruar ministri Sveçla.


MË SHUME NGA Kosovë