Lamtumirë Hamide! |Foto-Video
Foto: Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
Kosovë

Lamtumirë Hamide! |Foto-Video

Qëndresa Duraku-Xharra/RTK

Pas 2 ditë qëndrimi në arrati, vrasësi i 35-vjeçares shtatzënë Hamide Magashit, Sokol Halili i dha fund jetës së tij, duke mos pranuar t`i dorëzohej Policisë, derisa ishte lokalizuar nga organet e sigurisë në Davidoc të Shtimes.

Ndërsa pikërisht sot, në fshatin Llugaxhi të komunës së Lipjanit iu dha lamtumira e fundit 35-vjeçares Hamide Magashi, e cila u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, teksa po priste të lindte të nesërmen.

Kështu, mes dhimbjesh e lotëve i është dhënë lamtumira e fundit 35-vjeçares Hamide Magashi, e cila dy ditë më parë u vra nga ish-bashkëshorti, teksa po priste të sillte në jetë foshnjën e tyre.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve, të pranishëm në varrim ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari Lipjanit, Imri Ahmeti dhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.

Të gjithë njëzëri, kërkuan që drejtësia të vihet në vend.

"Secili që ka pasur përgjegjësi në rastin konkret, të cilët nuk i kanë kryer përgjegjësitë që kanë, le të japin dorëheqje dhe le të shkarkohen”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E pyetur nga mediat për dorëheqje, ministrja Haxhiu tha se nuk ishte  momenti të flitet për këtë, meqë është një moment jashtëzakonisht i vështirë.

Si ministre e Drejtësisë, ajo tha se nuk do të ndalet, derisa drejtësia për të ndjerën dhe foshnjën që priste që ta sillte në jetë, të shkonte në vend.

Pas ceremonisë së varrimit, foli edhe Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit. "Ishte dashur që krimineli të vihej nën pranga, s’kemi çka flasim tjetër këtu", tha ai.

E kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, deklaroi se ky rast është  çështje të strukturave të Policisë, gjyqësisë dhe hetuesisë.

“Na vjen keq, kjo nuk është ngjarje e përmasave lokale, por kjo është ngjarje e përmasave shtetërore e kombëtare. Jemi pa fjalë", tha ai.

E ndjera Hamide Magashi ishte me urdhër mbrojtjeje, pasi edhe më herët kishte pasur kërcënime e kanosje.

(Sqarim i redaksisë: Ceremonia e varrimit të Hamide Magashit është kryer para se i dyshuari për vrasje, Sokol Halili, të lokalizohej nga policia, por që i njëjti duke mos pranuar të dorëzohet, kreu vetëvrasje të premten pasdite).


MË SHUME NGA Kosovë