Pas vrasjes së shtatzënës, paralajmërohen dorëheqje e shkarkime|Video
Foto: Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
Kosovë

Pas vrasjes së shtatzënës, paralajmërohen dorëheqje e shkarkime|Video

Donika Sherifi/RTK

Për vrasjen e gruas shtatzënë që tronditi vendin, është kërkuar përgjegjësi institucionale, por në të njëjtën kohë janë paralajmëruar dorëheqje e shkarkime.

Kryeministri Kurti ka kërkuar ose dorëheqje ose shkarkim të zinxhirit përgjegjës derisa ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se ata e kanë kryer punën e vet, por në këtë rast, sipas Haxhiut, ka dështim të sistemit të drejtësisë.

Hetimet kanë nisur edhe në Polici dhe Gjinekologji, vendin ku ishte e shtrirë e ndjera.

Kështu, vrasja e shtatzënës Hamide Magashi nga bashkëshorti i saj para Klinikës së Gjinekologjisë ka aktivizuar të gjitha institucionet e vendit.

Dorëheqje e shkarkime të atyre që nuk e kanë kryer punën e tyre ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, sipas të cilit tanimë kanë filluar hetimet.

“Grupi ndërministror ka shtruar disa kërkesa që unë i kam aprovuar dhe tash do të bëhen inspektimet, i gjihë zinxhiri institucional i papërgjegjësisë duhet të dorëhiqet ose hiqet”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ministria që ajo drejton, i ka kryer të gjitha kompetencat e saj në këtë rast.

 

“Ministria e Drejtësisë me kompetencë të plotë i ka kryer të gjitha përgjegjësitë që ka, mirëpo dështimi është te sistemi i drejtësisë sepse siç e thash edhe dje, personi në korrik të këtij viti, krimineli në korrik të këtij viti është raportuar për dhunë në familje, e prokurori e ka liruar në procedurë të rregullt”, rikujtoi ministrja Haxhiu.

“Edhe përkundër këtyre veprimeve nuk ka asnjë shkarkim nga prokuroria, asnjë dorëheqje nga prokuroria dhe jo vetëm për këtë rast, për asnjë rast që ka ndodh deri më tani, prandaj thirrja ime është që të japin përgjegjësi ata të cilët nuk i kanë kryer detyrat”.

Për vrasjen e 35-vjeçares, nga Inspektorati i Policisë kanë konfirmuar se tanimë kanë filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë.

“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, thanë nga IPK-ja për RTK-në.

 

Hetime po bëhen edhe në Klinikën e Gjinekologjisë, në të cilën ishte e shtrirë tashmë e ndjera që po priste të lindte foshnjën e saj, kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Inspektorati Shëndetësor, me të marrë informatën, ka nisur kryerjen e të gjitha veprimeve në kuadër të kompetencave për këtë rast, janë duke u kryer edhe inspektime në Klinikën e Gjinekologjisë. Pas përfundimit të inspektimit lidhur me këtë rast, pas grumbullimit të fakteve dhe analizimit të tyre, do të përpilohet raporti nga Inspektorati Shëndetësor”, sqaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

RTK ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga ministria e Punës për hetimet në qendra për punë sociale, në Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës, por që nuk janë përgjigjur.

Nga e mërkura vazhdimisht është bërë thirrje për dorëheqje e shkarkime të shumë personave, derisa institucionet e vendit janë kritikuar për dështim në mbrojtje të së ndjerës. Hamide Magashi u vra të mërkurën nga bashkëshorti Sokol Halili, një ditë para se të sillte në jetë foshnjën e tyre.


MË SHUME NGA Kosovë