Aktgjykimi ndaj Salih Mustafës shpallet më 16 dhjetor
Jeton Musliu/RTKlive
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë njoftuar për mbajtjen e seancës përfundimtare në rastin ndaj të akuzuarit Salih Mustafa, ish epror i UÇK-së.
Trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve Mappie Veldt-Foglia, Gilbert Bitti dhe Roland Dekkers, vendosi sot që kjo seancë përfundimtare të mbahet më 16 dhejtor, në intervalin kohor me fillim nga ora 9:00 deri në 10:30.
Gjithashtu në këtë vendim, saktësohet se seanca do të jetë publike kurse i akuzuari, Salih Mustafa, urdhërohet që të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjykatës së Dhomave të Specializuara, raporton RTKlive.
Prokurori i Prokurorisë Speciale akuzon Mustafën se ka kryer krime afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash në Kosovë. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se afërsisht në atë kohë e në atë vendndodhje, është vrarë një i ndaluar.
Për këto akuza, prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vjetësh burg. Në anën tjetër, mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë kurse në këtë proces, janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, raporton RTKlive.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.























