Mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza e mbeturinave
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Kosovë

Mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza e mbeturinave

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Më shumë se 100 milionë euro grante i ka përfituar Kosova nga BE-ja dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave, marrëveshje këto që u nënshkruan nga tri ministri të Qeverisë së Republikës.

Të dy projektet e nënshkruara nga Hekuran Murati, Artane Rizvanoilli e Liburn Aliu do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.

Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.

Qeveria ka njoftuar se projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë.

“Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfË-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro”, është bërë e ditur nga ekzekutivi kosovar.

Projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro.

Ambasadori gjerman në Kosovë Rohde, tha se këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe BE-së në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Staebek Madsen, tha se përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase.

Ndërkohë ministri i Financave ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

Për ministren Rizvanoilli projektet e nënshkruara jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq ministri Aliu tha se ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Kosovës, drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme.


MË SHUME NGA Kosovë