Konjufca: Kemi praktika jo të mira për persona me aftësi të kufizuara
M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Kosova për herë të parë është nikoqire e “Kongresit Botëror për Persona me Aftësi të Kufizuara”, që mbahet, sot e nesër, në Prishtinë. Temë e edicionit të parë të këtij kongresi është “Bashkë për gjithëpërfshirje dhe prosperitet”, që ka për qëllim bashkimin e personave me nevoja të veçanta nga të gjitha vendet e botës.
Duke përshëndetur të pranishmit, kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me personat me aftësi të kufizuar, me ç’rast po organizohet Kongresi Botëror për Persona me Aftësi të Kufizuara, në Kosovë, tha se ky organizim është forma më e mirë për ta mbyllur këtë ngjarje për personat me aftësi të kufizuar.
Ai mes tjerash, tha se si Kuvend janë miratuar rezoluta për këta persona, që do adresim e zgjidhje institucionale, qasje në infrastrukturë, në edukim, pjesëmarrje në politikë, e sigurim shoqëror, por edhe në luftimin ndaj stigmatizimit dhe paragjykimit ndaj këtyre personave. “Këtë çështje kemi organizuar përmes ligjeve për personat me aftësi të kufizuara”.
“Kemi dëgjuar duke thënë se kemi ligje të mira, por jo edhe praktika të mira të realizimit, që është edhe e vërtetë”, tha më tej, kryetari Konjufca.
Më tej ai përmendi disa vendime të marra nga Kuvendi për persona me aftësi të kufizuar, që nga viti 2018 e këtej, përmes ligjeve të miratuar në Kuvend, që kanë të bëjnë me rregullimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, duke filluar që në edukimin e tyre që në fëmijëri të hershëm, si dhe parandalimin e dhunës në familje, etj., që këta mund të jenë në ekspozuara në këto situata.
Tutje kryetari Konjufca përmendi edhe projektligjin për skema pensionale të financuar nga shteti, që përmirëson edhe sigurimin social, etj.
“Në Kuvend kemi të punësuar 6 persona me aftësi të kufizuar, mendoj që është numër i vogël dhe inkurajoj të tjerët që të kenë në vëmendje në punësimin e tyre në institucionet tona vendore”, deklaroi, mes tjerash, kryetari Konjufca, duke përmendur edhe një sërë ligjesh që janë miratuar në Kuvend lidhur me qasjen dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në institucionet shtetërore dhe më gjerë.
Gërvalla-Shvarc: Përkushtimi ynë ndaj personave me nevoja të veçanta nuk do të ndalet

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Shvarc, teksa përshëndeti të pranishmit në Kongresin Botëror për Persona me Aftësi të Kufizuara, që po mbahet në Kosovë, tha se në secilin segment duhet shtuar përpjekjet tona për këta persona për një jetë më të dinjitetshme.
Ajo, ndër të tjera, revokoi përvojën saj me personat me aftësi të kufizuara në Gjermani e gjetkë, duke siguruar të pranishmit se “përkushtimi ynë si shtet, si institucione ndaj personave me nevoja të veçanta nuk do të ndalet dhe nuk do të zbehet në secilin segment të shoqërisë, që shoqëria jonë të jetë e shëndoshë”.
Hovenier: E rëndësishmi është ligji dhe zbatimi i tyre e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara

Duke përshëndetur të pranishmit, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, lidhur me personat me aftësi të kufizuar tha se me vite të tëra është përpjekur të përqafojë t’i promovojë vlerat e diversitetit dhe të qasjes së përbashkët si shoqëri "ndaj ndjehem mirë që njerëzit mund të shkëmbejnë përvojat mes veti."
Ai, mes tjerash përmendi angazhimin e institucioneve të ndryshme në SHBA për persona me aftësi të kufizuar, deri në nivel më të lartë shtetëror në angazhimin për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave për personat me aftësi të kufizuara, për qasje e mundësi të barabarta.
“E rëndësishmi është ligji dhe zbatimi i tyre e të drejtave për persona me aftësi të kufizuara”, deklaroi ambasadori Hovenier, derisa theksoi përkushtimin në zbatimin e të drejtave të lirive të njeriut edhe në segmente të ndryshme të jetës.
Më tej, ambasadori Hovennier foli për aktivitetin e USAID-it në ndihmë për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë.
E për kongresin e organizuar sot në Kosovë, ambasadori Hovenier tha se “ky është proces jo gjendja përfundimtare, ndaj kjo ngjarje është mirë në shkëmbimin e përvojave në ndihmën e ofrimit e qasjeve në jetën shoqërore të personave me aftësi të kufizuara”.























