Aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Brezovica 1”
Jeton Musliu/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë shkelur ligjet në fuqi, duke dhënë leje ose duke mos vepruar ndaj ndërtimeve të tilla në zonat e ndaluara të Parkut Kombëtar të “Sharrit”.
Të akuzuarit janë duke filluar që nga kryetari i komunës së Shtërpcës, e deri tek zyrtarët në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton RTKlive.
Përveç kësaj, shumë prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Me këtë rast, me akuza të ndryshme, por që kanë të bëjnë me rastin “Brezovica 1”, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzohen B.N, kryetar i Komunës së Shtërpcës.
Gjithashtu aktakuzë ka edhe ndaj D.R, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, pastaj D.R.,H.B., dhe D.M., që në bashkëveprim e si persona zyrtarë, nuk kanë vepruar ose nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Aktakuzë ka edhe ndaj S.M, shefit të Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës, dhe deputet i Kuvendit të Kosoves, që në mënyrë të drejtpërdrejt, sipas prokurorisë, ka kërkuar dhe pranuar para për vete, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.
Në lidhje me këtë rast, aktakuzë është ngritur edhe ndaj A.Ç, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pastaj B.H., si person zyrtar-kryeinspektor në MMPH.
Gjithashtu i pandehur është edhe H.A., që si person fizik, në mënyrë të terthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.
Aktakuzë ka edhe ndaj S.S. që ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale, marrja e ryshfetit, ndërsa ndaj J.K., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit.
Akatkzuë ka edhe ndaj R.B., shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.
Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i’uvihen në barrë.























