Situatë e qetë gjatë ditës në Mitrovicë |Video
Arlinda Sejda/RTK
Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të armatosur në veri të Mitrovicës, të enjten në mbrëmje, kanë plagosur një polic të Kosovës.
Megjithëkëtë, situata gjatë ditës ka qenë kryesisht e qetë, pasi gjatë natës e deri në orët e mëngjesit të së premtes, janë shfaqur persona të maskuar.
Nga një sulm të enjten në mbrëmje, nga bandat kriminale në veri është plagosur një polic i Kosovës.
E mëngjesi i së premtes në veri të vendit nisi me një sulm kundër ekipit të medies Kallxo.com.
Ata u sulmuan nga disa persona të maskuar në lagjen e boshnjakëve teksa po parakalonin me një veturë.
Por gjatë ditës, gjithçka dukej qetë. Vetëm disa orë më vonë, Policia e Kosovës konfirmoi mosprezencën e personave të maskuar në
atë zone.
Gjatë ditës, u panë lëvizje më të rralla të qytetarëve, por gjithçka frymonte në normalitet.
Tek ura mbi lumin “Ibër”, si zakonisht, prania e karabinierëve nuk mungoi as sot.
Prani më të lartë të Policisë së Kosovës kishte te “Tre rrokaqiejt”, në afërsi të zyrave të KQZ-së.
Me pjesëtarë të Policisë së Kosovës u përshkua edhe “Lagjja e boshjakëve” në veri të qytetit.
Karabinierët italianë, Policia e Kosovës dhe ajo e Eulexit, po vazhdojnë të qëndrojnë te ura mbi lumin “Ibër”, që bashkon pjesën jugore dhe atë veriore të Mitrovicës, kurse edhe të premten situta në veri të vëndit ishte krejtësisht e qetë.
Në veri të vendit, para pak ditësh janë regjistruar disa incidente me armë zjarri dhe granata dore.























