Polici i plagosur të enjten në veri, në gjendje të mirë shëndetësore |Video
Donika Sherifi/RTK
Polici i Kosovës i plagosur të enjten në mbrëmje me armë zjarri nga persona ende të panjohur, gjatë patrullimit në lagjen “Serbovc ” të Zveçanit, sipas mjekëve, tashmë është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ai është sjellë në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të enjten në mbrëmje, kurse të premten paradite, aty u pa një numër më i shtuar i policëve të Kosovës.
Mbi QKUK-në, të premten u panë duke fluturuar edhe helikopterë të KFOR-it.
Në korridorin e Klinikës së Kirurgjisë, në të cilën po trajtohet polici i plagosur një ditë më parë në veri të Mitrovicës, u panë edhe shumë policë.
Për gjendjen e tij shëndetësore, foli mjeku kujdestar në Qendren Emergjente të QKUK-së, Avdush Bajgora.
Ai tha se janë bërë ekzaminimet rengenologjike dhe është konstatuar se gjendja e tij në përgjithësi është stabile.
“Pastaj i është bërë edhe CT e kokës, qafës dhe CT e toraksit me ç'rast është konstatuar se në regjionin e nofullës së poshtme , konkretisht te gjëndra parotite, është një predhë metalike”, tha mjeku Avdush Bajgora.
“Gjithashtu është konstatuar se në regjionin e toraksit, konkretisht në regjionin humreskapular, ndodhet gjithashtu një predhë metalike dhe pas të gjitha këtyre ekzaminimeve, pacienti ështëdërguar në sallën e emergjencës ku është operuar nga kirurgët torakal dhe gjenjda e tij e përgjithshme është e mirë”.
Ndërkohë, para derës ku po trajtohet polici i plagosur, prisnin lajme edhe familjarët. Mjeku që operoi policin tha se gjendja e tij tanimë është stabile dhe nuk ka rrezik për jetë.
“Sot në mëngjes jemi ftuar për konsultim në Qendrën Emergjente për një pacient të plagosur me armë zjarri”, tha kirurgu Nazim Kolgeci. “Pas skanimit që i është bërë, është vërejtur se në hemotoraskin e majtë është dalluar një pjesë metalike. Ne pretendojmë që është predhë, por ajo është çështje e forenzikës”.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet rreth këtij rasti























