Rruga nga Restelica në kufi me MV të përfundojë deri në fund të vitit 2022
Myrvete Axhami/RTK
Megjithëse ishte planifikuar që rruga nga Restelica në kufi me Maqedoninë e Veriut të përfundojë deri në fund të viti 2022, ky projekt nuk ka përfunduar. Me qëllim që komuna të mos i kthejë mjetet e këtij projekti në suficit, ka ndërmarrë masa që t`i ofrojë kushte operatorit ekonomik për ta përfunduar brenda afatit asfaltimin e dy kilometrave rrugë në këtë terren të lartë malor.
Rruga Restelic - Mavrovë, me trekëndëshin Kosovë , Shqipëri, Maqedoni i ka rreth 30 kilometra. Kjo rrugë, është shfrytëzuar në të gjitha kohërat, për lidhje familjare dhe tregti. Deri më tani rruga e Strazimirit siç e quajnë banorët, është përshkuar vetëm më kafshë.
“Kjo rrugë është shumë me rëndësi sikur Qakorri për Pejën, ashtu është kjo për ne në Restelicë dhe fshatrat tjera. Si çdo kalim kufitar edhe për këtë kemi shumë nevojë sepse nëse nisemi prej këtu për një orë e gjysmë do të jemi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa prej Restelicës, në Prizren e pastaj në Shkup është shumë e gjatë”, tha Murat Mushka banor .
“Rruga është me rëndësi për lidhjet tona familjare, ndërkufitare dhe ndërkombëtare. Rruga është shumë e shkurtë me fshatrat tona andej kufirit . Kemi dy fshatra atje, Urviç dhe Jellovjanë . Edhe me fshatrat e tjera në afërsi të Mavrovës kemi shumë miq. Para luftës kemi bërë tregti, kemi edhe prona atje. Do të thotë që rruga është shumë me rëndësi për komunën dhe fshatrat tona.Komuna e Dragashit i ka shtruar me asfalt tre kilometrat, ndërsa për këtë vit kishte planifikuar që të përfundojë edhe me dy kilometra të tjerë”, thotë Nesim Hoxha banor .
Mjetet e ndara i takojnë grantit qeveritar dhe nëse nuk shfrytëzohen duhet të kthehen mbrapsht. Për këtë komuna është duke i ofruar kushte operatorit ekonomik, me qëllim që dy kilometërshi i paraparë për 2022 të përfundojë këtë vit .
I kontaktuar nga RTK Refki Hoxha, pronar i kompanisë kontraktuese, tha se nëse koha premton kjo rrugë përfundon brenda pesë ditësh .























