Turizmi në zonat rurale|Video
Myrvete Axhami/RTK
Kabashi i Prizrenit së shpejti do të jetë atraksion turistik për shumë vizitorë që e vizitojnë këtë vend.
Tek Ujëvara e Korishës, komuna ka dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi turistik.
Banorët e këtij lokaliteti e mirëpresin një projekt të tillë, duke shpresuar në joshjen e turistëve të huaj në çdo stinë.
Kabashi është vendbanim shumë i vjetër dhe është i njohur historikisht ndër shekuj për vlerat kulturore e historike. Ky fshat që tashmë është zhvendosur në rrëzë të bjeshkëve të Kabashit, ka shumë resurse dhe gjendet vetëm pak kilometra larg Prizrenit.
Ndonëse nga institucionet nuk ka pasur ndonjë investim të veçantë për të promovuar pasuritë e tij, nga vetë banorët kanë filluar të kujdesen për të nxjerrë në pah bukuritë e vendlindjes së tyre.
Vendet historike janë të preferuarat e vizitorëve. Vetë qytetarët mund t`i orientojnë ato për të eksploruar këto bukuri të skalitura nga vetë natyra.
Duke parë interesimin e madh të vizitorëve në vende të tilla si Ujëvara e Korishës, komuna e Prizrenit ka planifikuar të investojë në komplekse turistike.
Për ndërtimin e kompleksit turistik në Korishë, mbi Kalanë e Prizrenit dhe në Poslisht, tashmë janë dhënë lejet e ndërtimit, bën të ditur kryetari Shaqir Totaj. Sipas tij, e gjithë kjo po bëhet me qëllim që vizitorët, që vijnë në Prizren, të kenë mundësi që të kalojnë disa ditë, jo vetëm në qytet, por edhe në pjesën e tij rurale.























