Memorial për fëmijët e Kosovës të vrarë në luftë
BKT
Kosovë

Memorial për fëmijët e Kosovës të vrarë në luftë

M.Mmiftari/RTKlive

Në takimin e dytë të Komisionit Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë u diskutua për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.

Përmes një komunikate për medie, nga zyra për informim e Kryeministrisë, bëhet e ditur se në takimin e Komisionit Ministror u shqyrtua dhe miratua Plani i Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, hartuar nga Grupi Punues i mandatuar me Vendimin e Komisionit Ministror, të datës 13 tetor 2022.

Tutje, në këtë takim kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky proces. Ai ritheksoi se është detyrë e secilit prej nesh, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

 Mes tjerash bëhet e ditur se pjesë e këtij procesi është edhe Saranda Bogijevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, bëhet e ditur se pjesë e këtij grupi punues, i mandatuar me hartimin dhe monitorimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të jenë edhe përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kosovë