Vdes i burgosuri në Gjilan, suspendohen katër zyrtarë të burgut
E.Hoti/RTKlive
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ka pezulluar nga puna, drejtorin e Qendres së Paraburgimit në Gjilan, Sh.S , Zëvendësdrejtorin e kësaj qendre, F.H, mbikëqyrësin F.L dhe zyrtarin korrektues, M.H.
Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.
“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të shqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me rastin dhe përgjegjësitë e tyre”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Ndryshe, sot rreth orës 12:40 në Qendrën e Paraburgimit Gjilan, i burgosuri me inicialet B.E. është gjetur pa shenja jete në dhomën e tij.
"Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues, atij mjekësor të qendrës dhe emergjencës së qytetit, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur ta kthejnë në jetë", thuhej në njoftimin SHKK-së.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK-ja ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative.
Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.























