Driton Selmanaj, zgjidhet kryetar i ri i Degës së LDK-së në Prizren
BKT
Foto: Facebook i LDK
Kosovë

Driton Selmanaj, zgjidhet kryetar i ri i Degës së LDK-së në Prizren

Fadil Sertolli / RTKlive

Përmes një njoftimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëhet e ditur se Kuvendi Zgjedhor në Prizren, të mërkurën ka zgjedhur për kryetar dege të saj, Driton Selmanajn.

Me këtë rast, sipas njoftimit, delegatëve të degës në fillimin e punimeve të këtij Kuvendi iu drejtua kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë veprimtarët e veprimtaret e LDK-së për angazhimin e deritanishëm duke uruar që ky angazhim do të rritet dhe më shumë në rrugëtimin e fitoreve të LDK-së jo vetëm në Prizren; fitore për të cilat ka nevojë jo vetëm LDK, por vetë Kosova.

“Zgjedhjet në Prizren, vijojnë si pjesë e riorganizimit të brendshëm tonë politik. LDK, po përmbyllë me sukses edhe një cikël zgjedhor, të nisur në 11 degët e saj. Së bashku me këto 11 degë, LDK ka përfunduar dhe procesin zgjedhor në Forum të Gruas e në Forum Rinor”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, të dy proceset kanë ofruar pas 6 viteve struktura të reja, udhëheqje të freskuar e energji të re për sfidat përpara.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi nisur procesin e regjistrimit të anëtarësisë sonë; dhe derisa flasim këtu sot, mbi 40 mijë anëtarë janë regjistruar në platformën tonë”., tha ai teksa ka shtuar se përtej regjistrimit, LDK është në përfundim të hartimit të programit të ri politik.

Numri një i LDK-së ka bërë të ditur se plot 29 ekipe me dhjetëra ekspertë në to, po ndërtojnë programin më gjithëpërfshirës që ka pasur Kosova ndonjëherë.

“I njëjti do të jetë jo vetëm platformë e opozitarizmit të sotëm, por dhe program garues në zgjedhjet e ardhshme e program qeverisës pas zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë ndër të tjera kryetari Abdixhiku.


MË SHUME NGA Kosovë