Radoniqi: I domosdoshëm plotësim ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet
Afet Bela/ RTKlive
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga kryetari, Adnan Rrustemi.
Në këtë mbledhje, komisioni ka miratuar Planin Vjetor të Performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023; Planin Vjetor të Performancës së Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2023, si dhe Raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se në mesin e 46 objektiva kryesore të planit, të përcaktuara për vitin 2023, është edhe hartimi i legjislacionit sekondar, në përputhje me mandatin e ri të kësaj agjencie.
Po ashtu, ai ka thënë se në planin vjetor të performancës për vitin 2023, është paraparë edhe deklarimi “online” i pasurisë së zyrtarëve publik, përmirësimi i shërbimeve, si dhe i komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Më pas, Arben Pasjaqa, zëvendësues i drejtorit ekzekutiv, e ka prezantuar Planin Vjetor të Performancës së Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2023.
Ai ndër të tjera ka theksuar se qëllimi i këtij plani është zbatimi në praktikë i objektivave në përputhje me mandatin e kësaj agjencie.
Në këtë plan, Pasjaqa ka shtuar se janë përcaktuar edhe prioritetet, por edhe sfidat e kësaj agjencie.
Tutje, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë prezantimit të Raportit vjetor të KQZ-së për vitin 2021, ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë.
Organizimi i këtyre zgjedhjeve, Radoniqi ka thënë se është vlerësuar lart edhe nga Bashkimi Evropian.
Ai ka përmendur edhe domosdoshmërinë e plotësim ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet, duke bërë të ditur se në Komisionin Ad-hoc për Reformën Zgjedhore, KQZ –ja i ka propozuar 50 rekomandime.
Në vazhdim, janë miratuar raportet me amendamente të komisioneve funksionale për Projektligjin 08/L-173 për Sigurinë Kibernetike dhe për Projektligjin nr. 08/L-166 për Tubimet Publike, si dhe janë formuar grupet punues për Projektligjin nr. 08/L-168 për Prokurorinë Speciale dhe për plotësim ndryshimin e Kodit të Procedures Penale nr. 08/L-032.
























