FSK-ja gëzon besimin më të madh të kosovarëve|Grafikë
BKT
Foto: FSK-Facebook
Kosovë

FSK-ja gëzon besimin më të madh të kosovarëve|Grafikë

Jeton Musliu/RTKlive

Institucionet e sigurisë rezultojnë se gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës, krahasuar me të tjerat.

Forca e Sigurisë së Kosovës rezulton  më e besueshmja me 83%, pasuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73% dhe Policia e Kosovës me 72%, raporton RTKlive.

Këto të dhëna janë publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e cila ka publikuar anketën e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022, lidhur me besimin e të anketuarve në institucionet publike, si dhe perceptimet për korrupsionin dhe integritetin e administratës publike në vend.

Kështu, siç shihet, qytetarët u besojnë më së shumti këtyre tri institucioneve që shërbejnë për redn e siguri.

Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përballen me skepticizëm e mungesë besimi për shkak se besimi në Gjykata dhe Prokurori, nuk ka shënuar rritje as këtë vit.

Shkalla e besimit në këto dy institucionet është 30%, raporton RTKlive.

Sa i përket institucioneve qendrore, Presidentja e Kosovës renditet me besim relativisht të lartë nga të anketuarit në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin.

Rrjedhimisht, Presidentja gëzon besimin e 59% të të anketuarve, përderisa Kuvendi i Kosovës me vetëm 25% dhe Qeveria e Kosovës me 33%.

Këto dy të fundit kanë shënuar rënie të besueshmërisë në krahasim me vitin e kaluar. 

Sipas të anketuarve, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të sigurisë kombëtare në Kosovë.

82% përmendën krimin e organizuar dhe 80% korrupsionin si dy fenomene që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë sundimin e ligjit në Kosovë.

Veç kësaj, të anketuarit nuk ishin të kënaqur as me performancën e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit apo krimit të organizuar, ndërsa vetëm 30 për qind e vlerësuan këtë të fundit si të mirë.

Ky raport paraqet raportin e parë me të dhënat e vitit 2022 të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor të vitit.

 


MË SHUME NGA Kosovë