Haxhiu e vlerëson 2022-tën vit të suksesshëm në drejtësi
Valjeta Shala /RTK
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën përmbyllëse të këtij viti, e ka konsideruar 2022-tën si vit të suksesshëm.
Ajo ka folur për reformat penale dhe civile, angazhimin e MD-së ndaj parandalimit të dhunës, teksa si kryefjalë të suksesit këtë vit e ka vlerësuar Vettingun.
“Viti 2022, ishte vit i rëndësishëm që u karakterizua me angazhim të madh, sfida të shumta por edhe shumë të arritura. Prandaj e them me besim të plotë se po e përmbyllim suksesshëm sepse kemi punuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë, drejt jetësimit të plotë të zotimeve që kemi dhënë para qytetarëve”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022, gjithsej janë miratuar 34 akte normative të ministrisë së Drejtësisë dhe janë nxjerrë 133 vendime. Ajo po ashtu tha se kanë punuar edhe në shumë projektligje dhe një nga reformat e mëdha është edhe Ligji Prokurorial, por edhe projektligji për Byron shtetërore.
“Kemi punuar edhe në çështjet antikorrupsion. Po ashtu edhe themelimi i Institutit për krime lufte ishte ndër sukseset tona. Do të angazhohemi edhe për vitin e ardhshëm që të jemi të suksesshëm”, ka shtuar ministrja.
Ajo ka thënë se përmbyllja e prioriteteve në drejtësi do të vazhdojë edhe për gjatë vitit 2023, e ku shumë nga to, sipas saj pritet të jetësohen.
"Reforma në drejtësi është një sfidë e cila po arrin suksesshëm drejt realizimit të plotë të saj, rezultatet e së cilës më së miri do të fillojnë të ndihen nga viti i ardhshëm", u shpreh ministrja Haxhiu.























