13:43 / 29.12.2022
Vitia do të bëhet me qasje në autostradën “Arbën Xhaferri”
J.Musliu/RTKlive
Me investimin prej 2.8 milionë euro, komuna e Vitisë do të ketë qasje në autostradën “Arbën Xhaferri”.
Lajmin e konfirmoi Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ai deklaroi se tashmë edhe komuna e Vitisë do të ketë qasje në autostradën që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
“Pas përfundimit të projektit dhe elaboratit të shpronësimit, sot ka filluar procedura e prokurimit për kyçjen në autostradë në fshatin Gërlicë”, deklaroi Durmishi.
Ai theksoi se vlera e planifikuar e projektit është 2.8 milionë euro.
“Po i shfrytëzojmë këta muaj të dimrit për t’i përfunduar procedurat në mënyrë që në pranverë të fillojmë me punime”, tha ai.
Sipas Durmishit, viti i ardhshëm do të jetë vit i investimeve të mëdha.























