Edhe LDK e çon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë
B. H. / RTKlive
Pas Partisë Demokratike të Kosovës, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë e ka parashtruar në Gjykatën Kushtetuese edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky ligj bie ndesh me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.
“Sot në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, së bashku me koordinatorin për drejtësi në LDK, z. Manaj, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ne si grup parlamentar dhe LDK vlerësojmë se ky Ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, që është Marrëveshja për Stabilizim Asociimit dhe po ashtu është në kundërshtim me ligjet tjera”, tha Gashi.
Ai ka thënë se ky ligj po ashtu është edhe në kundërshtim me ligjet e tjera dhe shkakton kolezion mes ligjeve. “Prandaj, ne vlerësojmë se edhe në përmbajtje edhe në frymë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës si dhe në shkelje të procedurave dhe rregullave të Kuvendit. Prandaj, ne vlerësojmë se ky ligj dhe vendimi që do të merret për këtë ligj nga Gjykata Kushtetuese do të jetë se ky ligj do të jetë antikushtetues”, ka shtuar Gashi.























