Ditën e Veteranit, Kurti e përkujton me rrethimin e familjes Jashari
BKT
Kosovë

Ditën e Veteranit, Kurti e përkujton me rrethimin e familjes Jashari

J.Musliu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Veteranit, ka thënë se sot kujton të gjithë ata që luftuan me armë në dorë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Kurti, duke kujtuar dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës, deklaroi se sot kujtohen shokët e tyre të gjallë, e luftëtarët e lirisë që jetojnë mes nesh.

“Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai tha se kjo ditë përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë, policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit, që sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake.

“Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: “Dorëzohu Adem Jashari”, shkroi Kurti.

“Por Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje”.

Më tej kreu i Qeverisë së Kosovës, deklaroi se luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri, të një dekade rezistence të armatosur që do të përmbyllej më 1999 me çlirimin e Kosovës.

“Ky aksion policor i Serbisë pushtuese e okupatore në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, rezultoi me 2 persona të plagosur, 14 familje të bastisura dhe 50 të arrestuar, nga të cilët 27 u mbajtën gjithë ditën”.

“Mes tyre edhe Shaban Jashari, që u mbajt 48 orë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë, ku u rrah dhe maltretua, siç duket edhe në këto fotografi të shkrepura nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi”, rikujtoi Kurti ngjarjen e asaj kohe.

Sipas tij, Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës.

“Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të paepur të lirisë!”.

 


MË SHUME NGA Kosovë