Përfaqësuesit e Luginës të pakënaqur rreth ndarjes së mjeteve nga Kosova
Baki Rexhepi/RTK
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, së bashku me zëvendëskryetarin Shqiprim Musliu dhe kryetarin e PDSH-së, kanë reaguar lidhur me ndarjen e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.
Ata në këtë reagim kanë shprehur pakënaqësitë rreth ndarjes së këtyre mjeteve, duke i dhënë pesë arsye.
78 aplikantë nga Lugina e Preshevës kanë përfituar mbi një milion euro të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në emër të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve, ruajtjes, kultivimit të gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Por, kjo ndarje e mjeteve për herë të parë në këtë vlerë, e drejtuar përmes Këshillit Kombëtar shqiptar, përveç që është përshëndetur, ka ngjallur edhe reagime të partive politike, të cilët e konsiderojnë formën e ndarjes së mjeteve të padrejtë.
Për këtë ka reaguar edhe nënkryetari i Alternativës për Ndryshim, Arbër Pajaziti, i cili ka thënë se pazaret e ulëta politike kanë ndikuar që të prolongohet edhe formimi i Këshillit Nacional Shqiptar, zgjedhjet për të cilin janë mbajtur një muaj më parë.
Reagime kanë pasur edhe subjektet e tjera politike, ndërsa ish-kryetari i KNSh-së, Ragmi Mustafi, përmes llogarisë në facebook, duke i përmendur të arriturat e KNSh-së për vitin 2022, ka paralajmëruar që më 2023, të ketë një fond prej 5 milionë eurosh për ruajtjen, avancimin, promovimin e identitetit kombëtar përmes artit, kulturës, arsimit, sportit, mediave dhe mbështetjes së nismave.























