2022 apo viti i (pa) drejtësisë
BKT
Kosovë

2022 apo viti i (pa) drejtësisë

Valbona Thaçi/RTKlive

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1998, nisën rrugëtimin për liri dhe pavarësi. Me besim të palëkundur e bën luftën dhe paqen, e bën historinë e re dhe Kosovën ndryshe.

Me një besim të tillë, po qëndrojnë edhe në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Kështu së paku kanë deklaruar shumë nga ata që i kanë vizituar. Ata mbesin të privuar nga liria, por të pathyer, të panënshtruar dhe të padorëzuar. Ata janë tetë të paraburgosur, të akuzuar në katër procese të ndara gjyqësore.

Ndaj njërit, u shpall aktgjykim për krime lufte, kurse ndaj dy të tjerëve, aktgjykimi ishte për publikim të dokumentave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky është bilanci që deri më tani kanë Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

Dënimi i parë, 26 vjet burg

Kështu, gjatë vitit 2022, Specialja ka kaluar disa procese.

Ndërsa vitit 2022 i afronte fundi, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhanë vendimin e tyre të parë për krime lufte, duke dënuar ish-komandantin e një njësie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burg.

Sipas Gjykatës, Mustafa, i cili përdorte pseudonimin, komandat Cali, mori pjesë personalisht në torturimin e dy të burgosurve në një kompleks të UÇK-së në vitin 1999 në Zllash të Prishtinës, dhe se dështimi i tij për të urdhëruar lirimin e një të burgosuri çoi drejtpërdrejt në vdekjen e tyre.

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, e përshkroi dënimin si një fitore për drejtësinë - “dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarëve të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve kanë qenë në qendër të këtij rasti dhe që kanë vuajtur më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të tij”.

Por në Kosovë, përfaqësuesit e viktimave të krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës të viteve 1998-1999,  nuk u pajtuan me këtë aktgjykim.

OJQ-ja “Krimet e Luftës Gjakova 98-99” e quajti vendimin “të padrejtë, të njëanshëm dhe selektiv”.

Reagime dhe kritika ka pasur edhe nga subjektet politike të Kosovës, deputet e ministra të cilët e kanë konsideruar si të padrejtë dhe të njëanshëm një aktgjykim të tillë.

Poashtu për dënimin e Mustafës në Kosovë u mbajt edhe protestë sikurse ajo me moton “Jo në emrin tim!”, e organizuar nga Partia Socialdemokrate.

Një aspekt i ri i çështjes Mustafa ishte se ai ishte gjyqi i parë nga luftërat në ish Jugosllavi që përfshinte një avokat të viktimave, një avokat të paguar nga Dhomat e Specializuara për të përfaqësuar interesat e viktimave. Për shkak të frikës për kanosjen e mundshme të dëshmitarëve, shumica e tyre dëshmuan në mënyrë anonime.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. 

Aktgjykim ndaj Gucatit e Haradinajt

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Haradinajt dhe të Gucatit, si të dyshuar, para gjykatësit të vetëm, Nikola Giju, u mbajt përkatësisht më 29 shtator 2020 dhe më 1 tetor 2020.

E me 18 maj 2022, trupi gjykues shpalli të dy të akuzuarit fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Kështu, gjykata e dënoi secilin të akuzuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku atyre u llogaritet koha e kaluar në paraburgim deri tani, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.

Procesi i stërzgjatur

Ndërsa kanë kaluar dy vjet nga arrestimet e para të Speciales, avokatët e licensuar dhe vetë mbrojtja e të akuzuarve në Hagë, vazhdimisht kanë përmendur ankesa të shumta.

Problemi i parë pretendohet të jetë vonesa në nxjerrjen e dokumenteve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, janë përmendur se do të ftohen më shumë se 300 dëshmitarë, për të cilët Prokuroria ka kërkuar më shumë se 5 vjet kohë t’i intervistojë.

Vonesa në nisjen e gjykimit gjithashtu është vlerësuar si tejet problematike nga avokatët, po ashtu edhe vonesat në përkthimin e materialeve në gjuhën shqipe.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.

 Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

Procesi gjyqësor ndaj “Thaçit e të tjerëve” pritet të fillojë në mars të vitit 2023.

Aktakuzat

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Gjatë këtyre seancave, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me gjitha pikat e aktakuzës.

Seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimit u mbajtën përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Më 21 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e nëntë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I.Më 10 dhjetor 2021, më 25 maj 2022 dhe më 14 dhjetor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe njëzet e një parashtruesve respektivisht si pjesë e të njëjtit grup.

Më 17 dhjetor 2021, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e saj paraprake. Versioni i korrigjuar i dosjes paraprake të ZPS-së u dorëzua më 24 shkurt 2022 (gjithashtu si konfidencial). Në urdhrin e tij gojor të datës 20 maj 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi ekipet e Mbrojtjes që t’i dorëzojnë dosjet e tyre paraprake deri më 21 tetor 2022. Hashim Thaçi e dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes së tij paraprake më 8 nëntor 2022.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar, të dorëzuar më 29 prill 2022.

Më 30 nëntor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’ia kaluar Trupit Gjykues më 15 dhjetor 2022. Më 15 dhjetor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. 

 Disa muaj më pare avokatët e Thaçit dhe të tjerëve kanë deklaruar se ata po diskriminohen nga Gjykata Speciale

Avokatët e tre nga katër të akuzuarve në rastin kryesor të Gjykatës Speciale, u bënë bashkë dhe kërkuanë që t’u jepet leje për ankesë në Gjykatën e Apelit të Hagës. Krejt kjo, duke synuar ta kundërshtojnë vendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës, në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Avokatët e Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, këtë çështje po synojnë ta ngritin në Gjykatën e Apelit. Ata kanë dërguar kërkesa që t’u lejohet ankesa në Apelin e Speciales.

Përkundër se me tri parashtresa të ndara, avokatët e Veseli, Thaçit e Selimit po e quajnë qasjen e Gjykatës Speciale si diskriminuese. Kjo pasi, mbrojtja po pretendon se me vendimin e manualit të dëshmitarëve, po cenohet barazia e armëve në procedurë.

Rasti i Pjetër Shalës

Ndërsa në rastin e Pjetër Shalës, mbrojtja e viktimave kërkon që procedura e dëmshpërblimit të zhvillohet paralelisht me procedurën penale.

Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i pocedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje. Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake  për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykimin u mbajt brenda periudhës 18-20 tetor 2022.

Zanafilla e Dhomave të Specializuara

E gjitha nisi nga një libër i ish-Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, Carla del Ponte.

Ajo e përmendte si mundësi se ish-pjesëtarë të UÇK-së,  të kenë kryer trafikim organesh gjatë kohës së luftës në Kosovë. E kjo nuk kaloi pa vëmendjen e Rusisë.

Mbas një kohe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi se pavarësia e Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, një deputet rus në Këshillin e Evropës, kërkoi që të hetohen pretendimet e Del Pontes të shkruara në atë libër. Për këtë, u angazhua ish-senatori zviceran, Dick Marty. Marty e hartoi një raport të detajizuar ku më së shpeshti përmendej emri i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në atë kohë, drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Nga raporti i Dick Martyt, në vitin 2011, Bashkimi Evropian formoi Task Forcën Hetimore Speciale për kryerjen e një hetimi të pavarur. Në krye të këtij misioni ishte emëruar, Clint Williamson.

Por në muajin prill të vitit 2022,  Marty deklaroi për mediat zvicrane se kishte zbuluar se  Serbia po planifikonte ta vriste me qëllim që përgjegjësia t’i hidhej Kosovës dhe në këtë mënyrë të damkosej përgjithmonë lufta e saj për liri.

Deklarimin se ndaj tij po planifikohej ekzekutim nga Serbia, Marty e kishte dhënë në  një intervistë në televizionin publik të Zvicrës.

Ai po ashtu tha se është vënë në mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, që nga fundi i vitit 2020, për shkak të këcenimeve nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit.

Dhomat e Specializuara janë institucion i drejtësisë i Kosovës, themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.


MË SHUME NGA Kosovë