Sveçla dhe Aliu vizituan pikën e kontrollit policor në Urën e Bistricës
Fadil Sertolli / RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se është ndjenjë e veçantë gëzimi e krenarie që ndërrimin e motmotit e pritëm në pikën e kontrollit policor në Urën e Bistricës, bashkë me zyrtarët policor që ishin në detyrë dhe me Ministrin Liburn Aliu me të cilin kemi pasur bashkëpunim intenziv në vitin që lamë pas.
“Para kësaj vizite në Bistricë, u mblodhëm në Mitrovicë me pjesëtarët e të gjitha Njësiteve që ishin në detyrë, për të festuar vitin e ri ndërsa vazhduam vizitat edhe në stacionet policore në Jasenovik, në Koshtovë dhe në Stacionin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shkruar se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që përmbyllën një vit, për siç thotë ai, me suksese të shumta ndonëse të sfiduar jo rrallë herë.
“Do të vazhdojmë punën e angazhimin tonë me vullnet e përkushtim për të kryer me nder e profesionalizëm misionin tonë të përbashkët që kemi për Republikën dhe për qytetarët tanë”, ka shkruar ministri Sveçla.























