Gani Geci shkon në burg në vuajtje të dënimit
Jeton Musliu/RTKlive
Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, shkoi sot në vuajtje të dënimit me burg. Ai do të qëndrojë prapa grilave, për tri vjet e gjashtë muaj, pasi është gjetur fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Lajmin se Geci po shkon në burg në vuajtje të dënimit, e ka bërë të ditur vëllai i tij, Halil Geci, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
“Sot vëllai ynë Ganiu po i përgjigjet vendimit të gjykatës si i dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj”, shkroi Halil Geci.
“Neve si vëllezër me djemtë tanë dhe miq e shokë po e përcjellim që vëllai ynë me përkushtim i nënshtrohet dënimit”.
“Urojmë të kthehet sa ma shpejt dhe më nder si gjithmonë”, shkroi Geci. “Gjithmonë së bashku do ia dalim”.
Me 3 qershor 2016, Gani Geci u shpall fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, akt i kryer më 4 gusht të vitit 2014 në një kafiteri në Skenderaj.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ishte shpallur fajtor dhe u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, rast që ndodhi në gusht të vitit 2014.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Radosllav Markoviq, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv.
Geci akuzohej edhe për veprën e përdorimit të armës, mirëpo, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër.
Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Ai e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.























