Rritja e rasteve të dhunës shqetëson institucionet në Ferizaj|Video
Driton Ramadani / RTK
Në qytetin e Ferizajt, sipas raportit të policisë, është rritur numri i dhunës në familje. Institucionet e sigurisë dhe ato të mirëqenies sociale thanë se janë duke u marrë me këtë fenomen në mënyrë që këto raste të eliminohen.
Në Policinë e Kosovës thanë se gjatë viti 2022 në rajonin e Ferizajt janë raportuar rreth 270 raste.
“Llojet e dhunës në familje që janë shprehur më së shumti janë dhuna fizike 166 raste, pastaj dhuna psikike 99 raste, dhuna ekonomike 4 raste dhe një rast i dhunës seksuale”, tha Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.
Në qendrën për punë sociale në Ferizaj deklaruan se kjo qendër ofron shërbime për personat që pësojnë nga dhuna.
“Fillimisht prezantojmë në polici dhe i ofrohen ndihmat psiko-sociale. Nëse ka nevojë viktima për strehim e strehojmë. Ne punojmë rregullisht me familjen dhe me fëmijët e viktimave”, u shpreh Adelina Rexhepi Braha, nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.
Sociologu Imer Tifeku, thotë se çështja e prapambeturisë dhe ekonomike është ajo që shtyjnë personat të ushtrojnë dhunë në familje.
“Problemi është tek mentaliteti patriarkal, ky është një kapitull edhe pse anakronik na përcjellë në vetëdijen tonë. Mendoj që faktori kryesor është faktori ekonomik por edhe komunikimi ndërmjet qiftit në familje duhet të jetë më i madh, më i barabartë më i ekuilibruar dhe më i drejtë”, theksoi Imer Tifeku, sociolog.
Organet përgjegjëse janë duke mbajtur takime dhe trajnime të ndryshme në mënyrë që të bëhet parandalimi dhe raportimi i ushtrimit të dhunës në familje.























