Hetohet rasti i pacientit të vdekur pas operacionit në zemër|Video
Elmine Osmani / RTK
Prokurori i Shtetit ka nisur procedura parapenale për rastin e pacientit i cili vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas një operacioni të rrallë në zemër.
Me këtë rast, prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rastin e më pas, në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale do të veprojë tutje.
“Lidhur me këtë çështje prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të fillojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme në mënyrë që të sqarohet ky rast. Në varësi të rrjedhës së zhvillimit të këtyre veprimeve dhe nëse eventualisht paraqiten elemente të veprës penale, atëherë Prokurori i shtetit do të vazhdojë me ndërmarrje të veprimeve të tjera ligjore”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore.
E gjithë kjo nisi pasi u.d. i drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, akuzoi kardiokirurgun Kushtrim Shala për intervenimin ndaj pacientit.
Mjeku që kreu operacionin e quajtur ‘David’, Kushtrim Shala, në një reagim në rrjete sociale po konsideron se deklarimi i drejtuesit të klinikës, ishte tendencioz, joetik dhe jo profesional.
“Familjarëve u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyeshmërinë e intervenimit kirurgjik. Të cilët juridikisht kanë pranuar, që të kryhet intervenimi. Rastet e tilla të vdekjeve brenda spitalore kërkoj që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes. Po ashtu inicimi i çfarëdo hetimi në Kardiokirurgji është më se i nevojshëm sepse Kardiokirurgjia është në margjinat e ekzistencës”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Ndërkaq Oda e Mjekëve të Kosovës i ka quajtur të pa matura, deklaratat e u.d. të drejtorit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj. Kryetari i Odës së Mjekëve tha për RTK-në se tashmë hetimet kanë filluar ndaj mjekëve dhe drejtorit Brahimaj.
“Deklarata e drejtorit të Kardiokirurgjisë është parë nga ana e Odës si joserioze, jo e hijshme dhe në kundërshtim me Kodin e Etikës Profesionale. Nga kjo deklaratë dalin shumë pikëpyetje të cilat kanë të bëjnë me vetë sistemin menaxherial, e ku ai vet udhëheq me atë klinikë”, tha Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Ndërkohë, familjarët e pacientit që ndërroi jetë kanë kryer procedurat e varrimit, pa kërkuar që trupi i viktimës t’i nënshtrohet autopsisë.























