Shqipe Pantina aderon në LDK
RTKlive
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina sot edhe zyrtarisht ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
"Me kënaqësi ju njoftojmë se nga sot Shqipe Pantina është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike. Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX. Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton", thuhet në njoftimin e LDK-së. 
Edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, ka shkruar në "Facebook", për aderimin e saj.
" Ndihem e nderuar me ftesën e kryetarit Lumir Abdixhiku të bëhem pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Angazhimi im në politikë çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi ynë, andaj edhe e kam pranuar ketë ftesë dhe kam vendosur të i kthehem sërish politikës aktive. LDK sot është bërë adresë ku shumë veprimtarë politikë, të reja e të rinj që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për vendin, familjen dhe veten e tyre, po i bashkohen kësaj partie. Jam shumë e lumtur të bëhem pjesë e këtij grupi dhe shpresoj qe më përvojën time profesionale dhe politike të ndihmoj në hartimin e platformës programore që orientim ka zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.Na priftë e mbara", ka shkruar ajo në 'Facebook".























