Vazhdon ndotja e lumenjve|Video
Islam Haxhiu /RTK
Lumenjtë në komunën e Gjakovës po vazhdojnë të ndoten, pavarësisht pastrimit të kohëpaskohshëm nga kompania komunale për pastrim. Qytetarët ankohen për ndotjen e mjedisit, ndërsa komunarët thonë se kanë numrin e kufizuar të inspektorëve për ta pasur gjendjen nën kontroll.
Dikur përgjatë rrjedhës së lumit Trrava, çdo gjë ka qenë natyrale, madje edhe uji ishte i pijshëm. Kështu thonë banorët e fshatrave nga Lugu i Çarragojës, për lumin që është katandisur nga dora e njeriut.
Gjendja po aq e rëndë dhe e mjerueshme është edhe në shtratin e Erenikut. Si pasojë edhe vërshimet e lumenjve janë gjithnjë e më të shpeshta thonë banorët.
Për zyrtarët e Kompanisë për Pastrim "Çabrati", është e papranueshme hedhja e mbeturinave në lumë.
Në Drejtorinë Komunale të Inspektoratit në Gjakovë thonë se në vazhdimësi po ndërmarrin masa ndaj keqbërësve, por numri i vogël i inspektorëve po i kufizon angazhimet e luftimit të kësaj dukurie.
Gjendje aspak më e mirë mjedisore nuk paraqitet as përgjatë rrugëve kryesore të komunës, ku as largimi i kohëpaskohshëm i mbeturinave nuk po kryen punë.























