Presin vendimin e Kuvendit|Video
Valjeta Shala /RTK
Pensionistët kosovarë janë në pritje të votimit nga Kuvendi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e hoqi kriterin që përcaktonte se duheshin 15 vjet përvojë pune për t`iu njohur stazhi.
15 vjet përvojë pune para luftës, u janë dashur pensionistëve të Kosovës që ta marrin pensionin bashkë me kontributet e tyre pensionale.
Ky kriter, i cili është konsideruar diskriminues, pritet të hiqet pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’ua njohë kontributet punëtorëve të viteve të 90-ta, të larguar nga puna.
Gëzim Shala, hulumtues në Institutin Kosovar për Drejtësi, pret që brenda 6 muajve institucionet përgjegjëse t’i kryejnë detyrat karshi këtij vendimi.
“Gjykata përmes këtij aktgjykimi i ka obliguar institucionet sikurse Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet tjera që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të evitohet kjo shkelje dhe që kjo kategori të mos të përjashtohet për shkak të këtij kriteri. Nëse institucionet nuk veprojnë, atëherë kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese", tha Gëzim Shala, hulumtues në
Këtë vendim e ka pritur mirë Shoqata e Pensionistëve të Kosovës. Por kryetari i saj thotë se është skeptik në zbatim të tij.
“Unë kam frik që ka mu zgjat jetësimi i këtij vendimi dhe jam bajagi skeptik sepse shohim se çdo qeveri dhe nuk qajnë kokën për kushtetutshmërinë e tyre”, tha Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve.
Nëse kalon në kuvend, shumë qytetarë do të përfitojnë nga ky vendim i Kushtetueses.























