Në rrugën ‘Xhorxh Bush’ po qarkullojnë edhe veturat private |Video
Valjete Shala / RTK
Ndërsa në kryeqytet, ditë më parë u hap për qarkullimin e autobusëve, taksive dhe veturave emergjente, rruga `Xhorxh Bush` e cila tashmë po konsiderohet edhe si shesh. Por, pavarësisht fushatës së Policisë e cila të premten u tregonte ngasësve të veturave civile se nuk mund të qarkullonin në këtë pjesë, në ditët e fundjavës pati shumë ngasës të automjeteve që nuk respektonin shenjën e ndalesës.
Qytetarët kanë thënë se në këtë rrugë po shihen edhe vetura me tabela të huaja e që sipas tyre mund të mos jenë të informuar për vendimin derisa konsiderojnë se duhet prezencë më e shtuar e policëve.
Të premten gjatë ditës kur edhe u hap kjo rrugë për qarkullim kishte patrulla policore të cilat informonin drejtuesit e automjeteve civile se nuk mund të kalojnë nëpër këtë rrugë. Mirëpo sot, të njëjtat nuk u panë derisa ekipi i RTK-së ishte në vendngjarje. Lidhur me qarkullimin e veturave private, komuna e Prishtinës ka paraparë edhe gjoba deri 500 euro dhe konfiskim të patentë shoferit deri një vit për veturat qe hyjnë në këtë rrugë.























