Krasniqi akuzon Kurtin se nuk lejoi ish ushtarin e UÇK-së të flasë në Reçak
BKT
Foto: Memli Krasniqi/Facebook
Kosovë

Krasniqi akuzon Kurtin se nuk lejoi ish ushtarin e UÇK-së të flasë në Reçak

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi kryeministrin Albin Kurti, sepse sipas të cilit, ai dhe qeveria e tij, nuk e lejuan të shtunën kryetarin e Reçakut, Adem Ramadani (ish-ushtar i UÇK-së) që të flasë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Reçakut.

“Duhet të jesh i paskrupullt dhe skajshmërisht mosmirënjohës, si Albin Kurti, që të të pengojë fjala e luftëtarëve të lirisë dhe prezenca e tyre nëpër aktivitete publike”, deklaroi Krasniqi në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Ndalimi nga ana e Qeverisë i fjalës së Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, vetëm pse ai do të përmendëte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim, fatkeqësisht, është në vazhdën e sulmeve të njëpasnjëshme që ky kryeministër po u bën vlerave të luftës çlirimtare dhe veteranëve tanë”.

Krasniqi deklaron se do të cilësohej si gabim kur ndodh një herë, por kur diçka e tillë përsëritet në vazhdimësi, atëherë deklaron se “kemi të bëjmë me qasje e qëllim, me politikë të paramenduar qeveritare”.

Më tej Krasniqi rikujton se si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin.

“Të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës”.

“E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i ‘Rojave të Urës’ që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës”, shkroi Krasniqi.

“E kuptoj deri diku xhelozinë historike të një veterani të rrejshëm si Albin Kurti, por, nënçmimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kaloj asnjëherë para nesh dhe qytetarëve të Kosovës. Turp!”.


MË SHUME NGA Kosovë