Aktualisht ka furnizim të rregullt me rrymë, por s’përjashtohen reduktimet
Ardiana Hajzeri/Radio Kosova
Furnizimi me energji elektrike në nivel vendi aktualisht është stabil, pasi i gjithë konsumi po mbulohet nga prodhimi vendor por edhe importi. Drejtues të KEDS-it i thanë Radio Kosovës se nuk përjashtohet mundësia e reduktimeve në rast të uljes së temperaturave, pasi vendi është në situatë emergjente për sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Edhe përkundër paralajmërimeve se gjatë këtij dimri qytetarët e vendit do të përballën me kufizime të energjisë elektrike, aktualisht gjendja me furnizim është e qëndrueshme.
Zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala, i tha Radio Kosovës se aktualisht nuk ka kufizime të energjisë elektrike për as një konsumator.
“Nuk ka kufizime të energjisë elektrike për as një konsumator. Kjo do të thotë se prodhimi vendor dhe importi janë duke e mbuluar tërësisht kërkesën që ka vendi ynë”, thotë Viktor Buzhala për Radio Kosovën.
Buzhala, tha se ditëve në vazhdim, kur pritet rënie e temperaturave, nuk përjashtohet mundësia e reduktimeve pasi edhe ashtu vendi është në situatë emergjente të furnizimit me energji elektrike dhe se është më rëndësi që qytetarët ta kursejnë rrymën.
“Pasi që vetëm dihet që ne jemi në situatë emergjente për sa i përket furnizimit me energji elektrike të shpallur nga institucionet e vendit”, shpjegon Buzhala.
“Në këto rrethana duhet që të gjithë qytetarët e vendit të kenë kujdes, duhet t’u përmbahen në maksimum thirrjeve tona për kursim”.
“Kur jemi në situatë emergjente, situatat janë të pa parashikueshme”, thotë ai.
Kriza e furnizimit me energji elektrike në nivel global, ka pasur ndikim edhe në Kosovë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji elektrike.























