RrGK reagon për rastin e Haxhiajt: Edhe një dënim i padrejtë
BKT
Kosovë

RrGK reagon për rastin e Haxhiajt: Edhe një dënim i padrejtë

E. Hoti/ RTKlive

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar për neglizhim institucional, mos kualifikim i veprës dhe mos shqiptimin e dënimit meritor, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës Neni 173. Përmes një kumtese, RrGK reagon në lidhje me kualifikimin e veprës penale dhe shqiptimin e dënimit të burrit nga Prizreni, Ilir Haxhiaj, i cili e vrau gruan e tij Hatije Dinën.

Sipas RrGK-së dënimi me 15 vite burgim për vrasjen dhe shqiptimi i veprës në “lëndim i lehtë trupor”, e normalizon dhunën dhe vrasjen e grave që ndodh vazhdimisht.

“Gratë jetojnë në ambiente kërcënuese dhe viktimat e dhunës mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Punësimi i grave si dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe patjetër që kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta si dhe kualifikimi i veprave nga ana e prokurorëve bëhet me qëllim që veprat e dhunës të zbuten dhe të ndalen hetimet. Qendrat për Punë Sociale dështojnë në mbrojtje të rasteve të ndjeshme dhe në ofrim të shërbimeve të rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës dhe dënimet nga gjykata vazhdojnë të jenë të ulëta”, thuhet në reagim.

Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se moskualifikimi i duhur i veprave penale nga prokuroria dërgon gjyqtarët në dënime të ulëta dhe në mos zbatim të legjislacionit vendor që ne kemi.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës Neni 173 “Vrasja e rëndë” kërkon që dhunuesi të dënohet nga dhjetë (10) deri në burgim të përjetshëm kur personi privon nga jeta anëtarin e familjes. Andaj, përmes këtij reagimi kërkojmë që vepra të kthehet në rikualifikim nga “lëndim i rëndë trupor” në “vdekje e rëndë” dhe pas rikualifikimit të shpallet dënimi nga Gjykata” .

Sipas këtij rrjeti, hallka e dështimit institucional tregon se vrasja e grave na vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Institucionet dështojnë në trajtim të rasteve të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës në familje.

Përmes këtij reagimi, gjithashtu RrGK kërkon nga Ministria e Drejtësisë rishikim sistematik të të gjitha rasteve të dhunës me fatalitet.

Sidoqoftë RrGK-ja thotë se mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante.

“Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850”.

 


MË SHUME NGA Kosovë