IHML informon me kohë institucionet për mundësinë e vërshimeve|Video
Elmina Osmani / RTK
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshurave atmosferike në vend, ditëve të ardhshme mund të ketë vërshime të shpejta në zonën e Rrafshit të Dukgjinit. Komuna e Pejës dhe ajo e Klinës thanë për RTK-në që i kanë bërë përgatitjet e duhura për të përballuar një situatë të tillë të mundshme.
Po ashtu, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se në disa pjesë të vendit mund të ketë reshje të mëdha të cilat do të rrezikojnë me vërshime.
Sipas hidrologut Bashkim Kastrati, zonat më të rrezikuara nga vërshimet janë pjesa perëndimore e Kosovës apo Rrafshi i Dukagjinit, konkretisht Komuna e Gjakovës, Junikut, Klinës e Pejës .
“Si pasojë e këtyre reshjeve parashikohet që të ketë vërshime të shpejta kryesisht prej lumenjve të cilët kanë karakter malor dhe atë nga pjesa apo degët kryesore të djathta të Lumit Drini i Bardhë. Kjo vie si pasojë e ciklonit I cili është duke ardhë nga Oqeani Atlantik i cili ka përfshirë pjesën më të madhe të pjesës kontinentale të Evropës natyrisht edhe të pjesës së Gadishullit Ballkanik ku ndodhet edhe Kosova. Institucioni primar që informohet në raste të tilla është Agjencia e Emergjencave të Kosovës të cilët pastaj përmes linjave të tyre komunikojnë me komunat dhe ngrejnë shkallën e gatishmërisë nëpër ato zona të cilat mund të ketë përmbytje”, tha për RTK-në, Bashkim Kastrati hidrolog në IHML.
Dy nga komunat që shpeshherë janë prekur nga vërshime si pasojë të reshjeve të mëdha të shiut kanë thënë se tanimë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për ta përballuar situatën në rast të përmbytjeve.
Sipas komunave të cilat vazhdimisht rrezikohen nga vërshimet që vijnë nga të reshurat e mëdha të shiut, problem paraqesin edhe mbeturinat që hidhen në lumenj nga banorë të papërgjegjshëm.
Me këtë rast ata apelojnë te qytetarët që të ndalojnë së hedhuri mbeturina nëpër lumenj.























