Skenderaj me tetë fshatra nën pushtetin e ujit |Video
BKT
Foto: Gëzim Bimbashi/RTK
Kosovë

Skenderaj me tetë fshatra nën pushtetin e ujit |Video

J.Musliu/RTKlive

(E Plotësuar) Shumë dëme ka shkaktuar dalja nga shtrati të lumit “Klina” në Skenderaj. Familje të shumta janë bllokuar në banesat kolektive.

Ekipet e komunë kanë dalë në teren. Amir  Lushtaku, shef i Zyrës për Informim ë komunën e Skenderajt, deklaroi për RTK-në se situata pas vërshimeve në këtë komunë,  është e rënduar, pasi reshjet e filluara nga dita e djeshme, nuk kanë pushuar për rreth 30 orë.

Ai tha se në disa fshatra situata është shumë e rënduar. Lushtaku deklaroi se  kryetari i komunës, Fadil Nura, përvec që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ka krijuar edhe Shtabin Emergjent.

Lushtaku u shpreh se që nga fshati Klinë e Epërme,pastaj Klinë e Mesme e Klinë e Poshtme, pastaj në qytet, si dhe në Llaushë,  Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë e deri në Açarevë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Shpresojmë të mos ketë viktima”, tha Lushtaku. Ai deklaroi se gjatë tërë ditës,  janë bërë evakuime të familjeve të ndryshme.

“Situata është nën kontroll dhe familjet do të evakuohen dhe besoj se do ta menaxhojmë mirë këtë fatkeqësi natyrore”, u shpreh ai, duke shtuar se janë shpërndarë edhe pako ushqimore tek familjet që kanë nevojë.

MPB ngrit gatishmërinë shtetërore shkaku i vërshimeve|Video-Foto

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gatishmërinë shtetërore me rastin e vërshimeve që kanë ndodhur sot që nga orët e para të ditës kanë filluar reshjet atmosferike të shiut, me ç’rast në Rajonin e Mitrovicës dhe Pejës ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe ka pasur vërshime të shpejta.

Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me IHMK-në ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.

Aktualisht, MPB është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha Njësitë e zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se është në komunikim dhe koordinim me të gjitha ministritë tjera, për marrjen e të gjitha masave për përballimin sa më të lehtë të situatës.

“Apelojmë tek qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autoritetet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë”, shkruan në një deklaratë të MPB-së. Ministria njofton se Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112.

Ndërkohë, një raport i detajuar për situatën e krijuar nga vërshimet në vend do të publikohet më vonë.  

Komunat në "betejë" me vërshimet|Foto-Video

Sh.Gashi/RTKlive 

Paralajmërimet se mund të ketë përmbytje në disa zona të vendit nga të reshurat e shiut, janë dhënë ditë më parë nga institute Hidrometerologjik i Kosovës.

Hidrologu Bashkim Kastrati në lidhje direkte në emisionin “Info Plus” në RTK, deklaroi se paralajmërimet janë bërë që nga 16 janari dhe si pasojë e të reshurave, do të ketë përmbytje, sidomos në pjesën perëndimore, veriore dhe veriperëndimore  të Kosovës.

Ai tha se konkretisht, bëhet fjalë për Rrafshin e Dukagjinit,  komunat Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, pastaj Klinë, Istog, Leposaviq dhe Mitrovicë.

“Këto zona që  potencuam janë  në situatë kritike, pasi lumenjtë kryesorë janë në kuotat e tyre maksimale”, deklaroi ai.

Kastrati u shpreh se uji i ka kaluar pragjet e mbrojtjes nga përmbytjet,  sidomos “Drini i Bardhë” në disa segmente të tij, pastaj “Lumbardhi” e Pejës, “Lumbardhi” i Deçanit,  “Ereniku” i Gjakovës.

“Sidomos degët e këtyre  lumenjve të cilët kryesisht kanë  karakter malor dhe janë të rrëmbyeshëm”, ka thënë Kastrati.

Ndërkohë,  nga Juniku,  në një lidhje të drejtpërdrejt në RTK,  është paraqitur  kryetari i  komunës së Junikut,  Ruzhdi Shehu.

“Situata nga 16 janari është me rritje enorme te lumenjve si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut”, tha Shehu, sipas të cilit, komuna është duke punuar në sanimin e dëmeve nga këto reshje.

“Ne jemi duke monitoruar gjendjen bashkë me ekipet emergjente, por edhe me operatorët tjerë ekonomikë të cilët po na dalin në përkrahje”.

Ai tha se momentalisht ka rritje të nivelit të ujit dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore, e cila lidhë dy fshatra, siç janë fshati Jasiq dhe Gjocaj dhe rrugën e cila lidhë edhe me Bjeshkën e Junikut.

Reshjet e shiut edhe më tej vazhdojnë.

Përmbytje në Pejë, Skenderaj, Gjakovë, Drenas e Mitrovicë |Video-Foto

J.Musliu/RTKlive 

Shumë pjesë të Kosovës kanë rënë nën pushtetin e ujit. Fshatra e qytete të ndryshme në rajonet e Drenicës e Dukagjinit, por edhe të Mitrovicës, janë vërshuar, si pasojë e të reshurave të orëve të fundit.

Reshjet e pandërprera të shiut kanë bërë që shumë  fshatra edhe të komunës së Gjakovës e Pejës, të kenë vështirësi të mëdha qarkullimi. Përmbytje ka edhe në qytetin e Mitrovicës.

Ndërkohë, fshatra të shumtë të Skenderajt janë goditur nga përmbytjet. Përveç kësaj, edhe qyteti i Skenderajt është vërshuar nga uji, duke shkaktuar shumë dëme në biznese. Përmbytje ka edhe në Drenas.

Skenderaj shpallë gjendje të jashtëzakonshme, vërshime në disa lagje/Video

M.Shefkiu/RTKlive

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në objektet e banimit dhe në bujqësi në zonat e Drenicës, por edhe në Mitrovicë.  E si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, Komuna e Skenderajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa më të rrezikuara janë lagjet Bimbashi, Rrecaj e Gecaj në Llaushë.

Mërgim Rrecaj banorë i Llaushës, dërgoi pamje ku uji ka hyri edhe nëpër objekte banimi, derisa kërkon nga institucionet lokale dhe kombëtare duhet qe urgjentisht te ndërmarrin masa për sanimin e gjendjes.

“Ka rrezik të madh që në rast se nuk intervenohet me shpejtësi, vendi mund të përballet me një tragjedi që askush nuk do ta dëshironte. Shtëpitë e banorëve janë nen ujë dhe duke u bazuar se reshjet atmosferike nuk pritet të ndalen, atëherë kjo e bënë edhe me urgjente këtë thirrje”, deklaroi Rrecaj.

Shumë shtëpi, oborre e prona të tjera në lagjen Rrecaj në Llaushë të Skenderajt, janë përmbytur nga uji. Reshjet e pandërprera të shiut gjatë orëve të fundit, ka bërë që uji të depërtojë edhe brenda shtëpive.

Situatë e ngjashme është edhe në lagjet Bimbashi e Gecaj. Ndërkohë, shkolla fillore ‘Ahmet Delia’ në Skenderaj, sot nuk ka zhvilluar proces mësimor shkaku i reshjeve të mëdha të shiut dhe daljes nga shtrati të lumit ‘Klina’. E së fundmi situatë e përmbytur nga uji është edhe vet qendra e qytetit të Skenderajt dhe ajo ka stacioni i autobusëve dhe kompanitë biznesore.

Fadil Nura, kryetar i Skenderjat, tashmë ka shpallë gjendje e jashtëzakonshme në këtë komunë.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet”, thotë Fadil Nura, kryetar i Skenderjat.

Ai thotë se që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, edhe me mbështetje të shërbimit të zjarrfikësve, është angazhuar në mënyrë që situata të jetë nën kontroll.

“Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka deklaruar Nura.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë