Gjendje më stabile në Mitrovicë, pas vërshimeve të sotme |Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Gjendje më stabile në Mitrovicë, pas vërshimeve të sotme |Video

J.Musliu/RTKlive

Situatë e rënduar nga vërshimet pas reshjeve të fundit të shiut është edhe në Mitrovicë.

Kjo pasi lumenjtë “Ibër” e “Lushta” në disa vende  kanë dalë nga shtretërit e tyre duke shkaktuar përmbytje.

Arian Tahiri, nënkryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut, deklaroi për RTK-në se në pjesën e dytë të ditës së enjte, uji ka përfshirë pjesën dërmuese të qytetit.

Ai tha se fal bashkëpunimit me qytetarë, janë evakuuar një numër i konsiderueshëm i familjeve.

“20 familje janë evakuuar. Situata në orët e pasdites është qetësuar dhe një pjesë e rrugëve të qytetit janë liruar”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se komuna është duke ndjekur nga afër situatën. Tahiri deklaroi se dëmet materiale ende nuk janë evidentuar por ajo çfarë shihet nga pamja e parë, ka dëme të mëdha, si në prona private ashtu edhe publike. “Por më e rëndësishmja është që nuk ka jetë të humbura”, tha ai.


MË SHUME NGA Kosovë