Dëme nga vërshimet, situata drejt stabilizimit
Shqipe Gashi/RTKlive
Gjendja në disa komuna të Kosovës pas vërshimeve të një dite më parë, ishte një nga temat në të cilat u përqëndrua të premten magazina informative “Info Plus” në RTK.
Për këtë temë, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Peja, Gëzim Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike në këtë komunë, deklaroi se gjëndja në qytetin Pejës është më e mirë dhe stabile.
“Është e menaxhueshme dhe çdo rrezik eventual për momentin është larguar”, deklaroi Gashi për RTK-në.
“Akoma s’kemi ndonjë informacion të saktë, por sipas njerëzve që i kemi në terren, thuhet se nuk ka dëme të mëdha”.
Ndërkohë, RTK në kuadër të kësaj magazine informative, ka biseduar edhe me Shpejtim Bulliqin, kryetar i komunës së Podujevës.
“Sikurse edhe në shumë komuna të Kosovës edhe këtu jemi përballur me vërshime të mëdha nga të reshurat e shiut”, tha Bulliqi.
“Fatmirësisht nuk kemi humbje në njerëz, por ka pasur dëme të mëdha materiale të cilat janë shkaktuar në ekonomi familjare dhe në biznese e po ashtu dëmet në infrastrukturë, kanë qenë të mëdha”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai tha se aktualisht gjendja është nën kontroll dhe vërehen disa ngritje të nivelit të ujit në pellgun e lumit të Batllavës.
“Ne tashmë kemi krijuar një komision që do të bëjë vlerësimin e dëmeve materiale”.
Ndërkohë, sipas Institutit Hidrometeorologjik, situata me reshje të shiut do të zgjasë deri me 25 janar.